A po rikthehet Asociacioni në tavolinën e bisedimeve?

02.06.2021 17:29

A po rikthehet Asociacioni në tavolinën e bisedimeve?

Në prag të takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është aktualizuar tema e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë për të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë mendon se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë dhe se “është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnike”. Gjatë një adresimi për media të martën, ai po ashtu deklaroi se për Asociacionin ekziston edhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Më herët, Kurti kishte deklaruar, se për shkak që Kushtetuesja kishte gjetur se Marrëveshja për Asociacionin nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, “si i tillë, nuk do të mund të zbatohet në Kosovë”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën deklaroi se reagimi i Beogradit do të jetë "shumë i fuqishëm dhe i ashpër" sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai shtoi se nëse Kurti “nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”.

Takimi i parë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel pritet të mbahet gjatë këtij muaji.

Kur u arrit marrëveshja për Asociacionin?

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohet me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asamble dhe Këshill.

Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar.

Sipas Marrëveshjes për Asociacionin dhe në përputhje me Marrëveshjen e parë të Brukselit, objektivat kryesore e Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni e komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar edhe që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumica. Janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Sa ishte në opozitë, partia e kryeministrit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar protesta dhe kishte bllokuar punën e kuvendit, për shkak të kundërshtive ndaj Marrëveshjes së Asociacionit dhe asaj për Demarkacionin me Malin e Zi.

Prej vitit 2015 deri më 2018, opozita e atëhershme, kishte hedhur gaz lotjsjellës në ambientet e kuvendit, me qëllim që të parandalonte ratifikimin e këtyre dy marrëveshjeve. Megjithatë, më 21 mars të vitit 2018, deputetët kishin ratifikuar Demarkacionin.

Ndërkaq, Naim Rashiti nga Grupi për Ballkanin, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesa publike e Serbisë në raport me marrëveshjen finale në dialogun Kosovë-Serbi, por kërkesa reale përfshin një "autonomi madhore".

"Shkon përtej asaj për një autonomi madhore, që ata e quajnë ‘power sharing’ (ndarja e pushtetit) në Kosovë për veriun, sidomos, por mundësisht për të gjitha zonat. Kërkesa për kishat shkon përtej Planit të Ahtisarti, kërkohet një lloj statusi i veçantë i modaliteteve të ndryshme për autonomi sa më të madhe të territoreve të banuara me serbë", ka thënë Rashiti.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011, fillimisht në nivel teknik dhe më pas në atë politik. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë mes Prishtinës dhe Beogradit./rel/

x