Askush mbi ligjin, vetëm Albulena Haxhiu – MD vendos të hapë konkurs për noterë, përkundër vendimit të gjykatës

14.05.2022 21:42

Askush mbi ligjin, vetëm Albulena Haxhiu – MD vendos të hapë konkurs për noterë, përkundër vendimit të gjykatës

Ministria e Drejtësisë ka vendosur të hapë konkurs të ri për noterë, përkundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila iu dha të drejtë kandidatëve të fundit të noterisë, gjatë konkursit sa në postin e ish-ministrit të Drejtësisë ishte Abelard Tahiri. Këtë, nga MD-ja, kanë thënë se po e bëjnë për shkak të vështirësive në shërbime nëpër komuna.

Albulena Haxhiu, udhëheqëse e dikasterit të Drejtësisë, e pati anuluar konkursin për noterë përgjatë Qeverisë Kurti I, nën arsyetimin e nepotizmit.

“Në anën tjetër një proces ska pas as transparence dhe unë si ministre nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është përcjellë me parregullsi dhe humbje të besimit dhe një proces nga pjesa dërmuese që kanë kaluar provimin janë militant partie apo familjar të tyre”, pati deklaruar ajo, pasi e kishte kthyer konkursin në pikën zero.

Mirëpo, një vendim i këtillë ishte anuluar nga gjykata e shkallës së parë, duke e parë procesin e Provimit për Noterinë si të ligjshëm dhe të drejtë.

Për çështjen e konkursit të noterëve janë deklaruar së fundmi nga MD-ja, duke thënë se tashmë janë krijuar rrethana të reja që nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Natyrisht që vendimet e gjykatës janë të zbatueshme, janë krijuar rrethana të reja dhe pas këtij vendimi ne jemi duke u konsultuar për një proces të ri, jemi në proces të krijimit të komisionit për noter dhe do ta themelojmë komisionin, do të konsultohemi me ekspertë dhe do të vazhdojmë tutje dhe do ta marrim me prioritet këtë… Jemi në proces të konsultimit edhe me ekspertë dhe me gjasë do të ketë konkurs të ri dhe pasi ta kalojnë provimin për noterë do të kemi shumë kandidatë dhe ata kandidatë të cilat do t’i plotësojnë kriteret, sipas legjislacionit në fuqi, edhe do të licencohen si noterë… Gjykata ka vendosur për procesin, ata tashmë do të jenë pjesë e garës, jo garës për konkurs të ri por do të jenë pjesë të garës për licencim, dhe pasi ta kemi përmbylljen e procesit të ri të konkursit ne natyrisht që të gjithë kandidatët, edhe paraprakë, edhe kandidatët e rinj, do të jenë në proces konkurrimi për licencim dhe ata që do të plotësojnë kriteret do të licencohen si noterë”, deklaroi Genc Nimoni për KosovaPress.

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në anën tjetër, ka akuzuar qeverinë për neglizhencë të këtij procesi dhe u ka bërë thirrje kandidatëve të konkursit të fundit, të cilët kanë plotësuar kushtet, ta padisin ministren Haxhiu.

“Ministria e Drejtësisë ka vendosur ta neglizhojë këtë proces duke i dhënë monopol disa noterëve që të kryejnë punën e noterëve dhe të cilët realisht tashmë ju e dini që më shumë se gjysma e komunave në Republikën e Kosovës kanë mbetur pa noterë. Pra, sot për ta kryer një punë tek noteri duhet të presim me orë të tëra… po ruhet monopoli i disa noterëve dhe ata kanë qarkullim marramendës me mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë dhe në anën tjetër ministrja e Drejtësisë po bënë vepër penale duke mos respektuar një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinë. Prandaj unë mendoj se të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet që të jenë noterë në Republikën e Kosovës që kanë aplikuar edhe në konkursin që është hapur edhe në atë kohë sa kam qenë ministër për vendet e lira të noterëve nëpër komunat e Kosovës duhet t’i bëjnë kallëzim penal ministres së Drejtësisë për faktin se ajo nuk e respekton një të drejtë të tyre ligjore dhe kushtetuese”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave të MD-së, të siguruara nga lajmi.net, 15 komuna të Komunës së Kosovës nuk kanë noterë. 

x