Bislimi për dështimin e marrëveshjes: Ne ishim konstruktiv e kreativ, por kjo nuk mjaftoi

14.05.2022 12:27

Bislimi për dështimin e marrëveshjes: Ne ishim konstruktiv e kreativ, por kjo nuk mjaftoi

Zëvendës Kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar sot rreth dështimit të arritjes së marrëveshjes për çështjen e targave, takimi për të cilën u mbajt dje mes tij, Petar Petkoviqit dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

Bislimi, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se konstruktiviteti dhe kreativiteti i palës kosovare ka qenë i nevojshëm dhe i dobishëm, por jo edhe i mjaftueshëm.

Po ashtu, ai ka kritikuar Serbinë, duke thënë se kjo e fundit nuk është treguar konstruktive as gjatë takimit të djeshëm.

“Përkundër pritjeve dhe angazhimit, Serbia sërish nuk ishte konstruktive në takimet e djeshme në Bruksel. Zgjedhja për pengimin përmes pjesëmarrjes si strategji parësore po rezulton efikase në parandalimin e progresit. Konstruktiviteti dhe kreativiteti nga ana jonë është i nevojshëm dhe i dobishëm, por me sa duket jo i mjaftueshëm”, ka thënë njeriu i dytë i qeverisë.

Me tej ai ka falënderuar edhe Laçjakun, për interesimin e këtij të fundit gjatë negociatave.

“Dua të falënderoj Miroslav Lajçak për interesimin dhe përpjekjet e tij të sinqerta drejt përfundimit të suksesshëm të negociatave për targat dhe energjinë”, ka përfunduar Bislimi.

Kujtojmë se marrëveshja përfundimtare për targat ishte paraparë që të arrihej para datë 21 prill, por që diçka nuk është realizuar. 

x