BQK-ja parashikon rritje ekonomike 9.9% për 2021

20.10.2021 16:16

BQK-ja parashikon rritje ekonomike 9.9% për 2021

Ekonomia e Kosovës, sipas projeksioneve të Bankës Qendrore, do të shënojë rritje 9.9 për qind gjatë vitit 2021, pas rënies 5.3 për qind gjatë vitit të kaluar.

Kjo u bë e ditur në shqyrtimin e raportit financiar të BQK-së gjatë vitit 2020 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u ngritën edhe shqetësime për rritjen e borxhit publik të vendit, problemet me kompanitë e sigurimeve, mungesën e bordit, nepotizmin në BQK dhe integritetin e këtij institucioni.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, duke paraqitur raportin, tregoi pritshmërinë për rritjen ekonomike gjatë këtij viti, derisa tha se pandemia COVID-19 ka bërë që vitin e kaluar të ketë rënie ekonomike dhe rritje të borxhit publik në 1.5 miliard euro.

“Projeksionet e BQK-së sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet me një ritëm mjaft të shpejtë të rritjes prej 9.9 për qind në vitin 2021. Vetëm në gjysmën e parë 2021 është shënuar një rritje e aktivitetit ekonomik prej 10.5 për qind… Borxhi publik në vitin 2020 ka arritur në 1.5 miliard euro, që është 23.9 për qind më i lartë krahasuar me 2019. Si përqindje e bruto produktit vendor, borxhi publik ka arritur në 21.8 për qind nga 17.5 për qind më 2019”, tha ai.

Raportin e BQK-së, anëtari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Erman Rrahmani e quajti të gjeneralizuar, derisa pyeti guvernatorin për tërheqjen e licencës së një kompanie të sigurimit dhe nënkapitalizimin e disa kompanive të tjera të sigurimit.

“Sa kompani të sigurimeve janë të nënkapitalizuara dhe pse po vazhdojnë të jetë edhe më tutje? Këtë vit i është marrë licenca kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. Pse është lejuar një gjendje e tillë të përsëritet deri më tash”, pyeti ai.

Por, guvernatori, Mehmeti tha se vetëm një kompani e sigurimit vazhdon të jetë nënkapitalin, ndërsa gjitha të tjerat janë brenda rregullave ligjore. Derisa u paralajmërua edhe liberalizimi i tregut të sigurimeve nga zëvendësguvernatori, Sokol Havolli.

“Unë porsa e kam marrë mandatin, kam filluar në zbatimin e masave, mirëpo duhet të kenë parasysh se duhet t’i respektojmë të gjitha procedurat me qëllim që mos të bëjmë shkelje procedurale. Kemi shkuar fillimisht me vërejtje dhe ndëshkime, kemi dhënë mundësi që të hyjë në rregullativën ligjore, kemi respektuar hapat, më pastaj kemi shkuar në proces të administrimit. Momente tjera, personi në administrim na ka dhënë paralajmërimin se kjo kompani nuk ka mundësi të rikuperohet, atëherë kemi marrë edhe vendimin. Qëllimi ka qenë të mos bëjmë shkelje në aspektin e procedurave. E përmende që një e dyta e kompanive të sigurimit janë jashtë rregullative. Ju siguroj se vetëm një kompani, e cila është në plan të sanimit dhe i ka shtuar 6 milionë euro, i kemi dhënë afat deri në fund të vitit që të shtojë edhe një pjesë prej 1.3 milion euro për të qenë në harmoni me rregullativën ligjore. Ju siguroj se asnjë kompani tjetër nuk është dhe nuk do të ketë asnjë kompani dhe institucion jashtë rregullativës”, tha Mehmeti.

Dyshime për raportin e punës së BQK-së gjatë vitit 2020 ngriti deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se është shqetësuese qysh nga qershori i vitit të kaluar mos të zgjidhet Bordi i BQK-së.

“A është valid ky dokument? E them për arsye se nuk funksionon bordi dhe ne nuk kemi të drejtë të merremi me guvernatorin, derisa nuk zgjidhet nga ne. Ne duhet të kërkojmë llogari nga bordi, pasi bordi e zgjedh guvernatorin. Por ky bord nuk ekziston. Mendoj se ky dokument që po trajtohet sot, nuk është valid, pasi me mungesën e bordit nuk di kush e ka aprovuar. Mendoj që bordi nuk ekziston prej qershorit 2020”, tha Lekaj.

Ani pse në agjendë të komisionit ishin edhe pika të tjera, të njëjtat u shtynë për shqyrtim për javën e ardhshme.

x