Britania ngre alarm, mbledh urgjentisht ministrat e shëndetësisë së G7-ës

28.11.2021 22:36

Britania ngre alarm, mbledh urgjentisht ministrat e shëndetësisë së G7-ës

Ministrat e shëndetësisë nga shtatë shtetet më të pasura në botë do të mblidhen të hënën, më 29 nëntor, për të diskutuar rreth variantit të ri të Coronavirusit, Omicron.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ka thirrur një takim urgjent të ministrave të shëndetësisë të G7-ës pasi ky shtet ka shënuar raste me variantin e ri të Coronavirusit, shkruan Politico.eu.

Takimi vjen në një kohë kur ky variant fillimisht u zbulua në Afrikën e Jugut e më pas u përhap edhe në Britani, Gjermani, Itali, Holandë, Republikë Çeke dhe Belgjikë.

 
Qeveria britanike njoftoi masa të reja të shtunën në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e variantit të ri të COVID-19.

Në kuadër të masave, Britania do të urdhërojë që maskat të mbahen në mjediset e shitjes me pakicë dhe në transport publik.

Gjithashtu, do të ashpërsohen rregullat edhe për udhëtarët që do të hyjnë në këtë shtet.

 
G7 përbëhet nga Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA.

Theksojmë se shtetet e Bashkimit Europian mbyllën kufijtë për të gjithë udhëtarët nga 7 shtete të Afrikës jugore – Botsuana, Esuatini, Lesotho, Mozambik, Namibia, Afrika e Jugut dhe Zimbabve.

Gjithashtu edhe Kanada dhe SHBA-të vendosën masa shtrënguese ndaj udhëtarëve që vinin nga Afrika Jugore.

x