Empire State Building ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Kosovës

22.07.2021 23:12

Empire State Building ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Kosovës

Me rastin e hapjes së Lojërave Olimpike Verore 2021, nesër, më 23 korrik, ngjyrat e flamurit të Republikës së Kosovës do të ndriçohen në ndërtesën më të famshme në botë-Empire State Building, në Nju-Jork.

Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork.

“Në këtë ditë bëhet hapja solemne e Lojërave Olimpike Verore 2021, në Tokio të Japonisë. Për nder të kësaj ceremonie solemne, në ndërtesën Empire State Building, krahas shteteve të tjera, do të ndriçohen edhe ngjyrat e flamurit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në vitin 2016, Republika e Kosovës mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, ku xhudistja kosovare me famë botërore, Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e artë.

x