Forca e FSK-së: Rrëfimi për dy vajzat që arritën suksese në akademitë më të forta në botë

28.10.2021 22:06

Forca e FSK-së: Rrëfimi për dy vajzat që arritën suksese në akademitë më të forta në botë

Në prill u shpërblye me çmimin si kadetja më e mirë e huaj në Akademinë Ushtarake Sandhurst në Britani të Madhe.

Pak muaj më pas, Ilirianë Bunjaku, njohuritë e marra në një prej akademive më të forta në botë, po i zbaton në Ushtrinë e Kosovës.

Me shumë angazhime e takime nga mëngjesi, Iliriana si nëntogere në FSK aktualisht po kryen detyrat si komandante e kompanisë.

“Aty zhvillohesh më shumë në aspketin e lidershipit apo udhëheqjes, dhe deri në nivel kompanie jam e  përgatitur që ato njohuri t’i shfaqë te pjesëtarët e mi”, fillon rrëfimin Iliriana.

Megjithëse, gjithë kjo rrugë nuk ishte e lehtë për Ilirianën.

“Në aspektin taktik kemi pasur stërvitje nët erren me ditë të tëra, në pejët ma malore e kodrinore të Anglisë, me mot mjaft të vështirë dhe kjo ka qenë tejet sfiduese. Përvec terrenit kemi pasur edhe aktivitete tjera në ligjërata të ndryshme brenda kazermës”, thotë nëntogerja e FSK-së për RTK-në.

Madje, me angazhimin e saj, Iliriana arriti të theyjë edhe tabutë.

“Tabutë thehen prej njerëzve që dijnë me i thy, po besoj që është në dorën e personave që me ua provu tët jerëve që kjo tabu do të thyhet dhe të gjithë pjesëtarët që shërbejnë janë në mënyrën më të mirë të mundshme”, shprehet Bunjaku.

Iliriana nuk është ushtarja e vetme e FSK-së që arriti sukses të tillë.

Edhe pjesëtarja tjetër e FSK-së, Arelena Shala diplomoi si e dalluar në Akademinë e njohur amerikane, West Point, para ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Madje Arelena aktualisht po vazhdon edhe studimet master në Shtetet e Bashkuara.

“Edhe në West Point edhe në studimet master që po i bëj këtu synimi është që të përgatitem sa më mirë për të ardhmen kur të kthehem në FSK. Sfidat kanë qenë të shumta por ia kemi dalur, dhe ka qenë krenari ta prezantojmë emrin e Kosovës”, tregon Arelena Shala.

Iliriana e Arelena si dy ushtare me suksese të dalluara, kanë nga një apel për të gjitha vajzat që duan ta veshin uniformën e Ushtrisë së Kosovës, duke kërkuar që secila vajzë të mos ndalet së ndjekuri ëndrrat në ushtri. /RTK/

x