Gjenerali i EBA-së i akuzuar për torturë zgjidhet president i INTERPOL-it

25.11.2021 17:15

Gjenerali i EBA-së i akuzuar për torturë zgjidhet president i INTERPOL-it

Organizata botërore e Policisë, INTERPOL, ka zgjedhur më 25 nëntor një gjeneral nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për president të ri, pavarësisht shqetësimeve për shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat mund ta vënë agjencinë përballë rrezikut nga eksploatimi nga regjimet represive, shkruan AFP.

Ahmed Nasser al-Raisi, inspektor i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, do të shërbejë pjesërisht në post me mandat katër vjeçar, madje pa pagesë.

Por, organizatat për të drejtat e njeriut kishin lobuar kundër kandidaturës së tij, duke e akuzuar për dështim në hetim të ankesave kredibile rreth torturës nga forcat e sigurisë së EBA-së.

Emërimi i tij vjen pasi Emiratet e Bashkuara Arabe dhanë fonde të shumta për agjencinë me bazë në Lyon në Francë. EBA-ja kishte dhuruar 48 milionë euro për INTERPOL-in gjatë vitit 2017 ndryshe, shumë pothuajse e barabartë me donacionet që të gjitha 195 shtetet anëtare japin për organizatën.

Gjenerali Al Raisi u zgjodh pas tre rundeve të votimit me ç’rast mori 68.9 për qind të votave nga shtetet anëtare, njoftoi INTERPOL-i nëpërmjet një njoftimi për media.

Pas zgjedhjes së tij, Raisi shkroi në Twitter që ‘do të ndërtojë një organizatë më transparente, diverse dhe vendimmarrëse, e cila do të garantojë siguri për të gjithë’.

Megjithatë, Raisi nuk i komentoi akuzat ndaj tij dhe tha se ‘EBA është bërë një prej shteteve më të sigurta në botë’.

Por, hulumtuesja e organizatës Human Rights Watch, Hiba Zayadin e quajti emërimin e tij ‘ditë të trishtuar për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në botë’. Sipas saj, gjenerali ishte ‘përfaqësues i qeverisë më autoritare në Gji, i cili disidentët paqësorë i barazon me terroristë’.

Akuzat për torturë u paraqitën kundër gjeneralit edhe muajve të fundit në Francë e Turqi, derisa në Stamboll këtë javë pritet të mbahet Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it.

Për më tepër tre anëtarë të Parlamentit Evropian i kishin shkruar një letër më 11 nëntor kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për ta paralajmëruar se zgjedhja e Raisit ‘do të dëmtonte misionin dhe reputacionin e Interpolit’.

Anwar Gargash, ish-ministër i Jashtëm i EBA-së tani këshilltar i presidentit megjithatë e përshkroi zgjedhjen e gjeneralit si ‘dëshmi të arritjeve të shtetit dhe efikasitet në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë’. Ai i përjashtoi akuzat kundër Raisit, si fushatë qëllimkeqe. /REL

x