Hidhet poshtë aktakuza ndaj deputetit Zyba dhe dy të tjerëve për pjesëmarrje në protestat e vitit 2015

21.05.2022 19:36

Hidhet poshtë aktakuza ndaj deputetit Zyba dhe dy të tjerëve për pjesëmarrje në protestat e vitit 2015

Gjykata Themelore në  Prishtinë, dega në Gllogoc e ka hudhur poshtë  aktakuzën e ushtruar ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Ngadhënjim Haxhosaj, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe Leotrim Pacolli për “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Një vendim i tillë është nxjerrë  nga gjykatësi i rastit Shefqet Baleci për shkak të  arritjes së  parashkrimit absolut të ndjekjes penale. Ndërsa procedura penale në këtë rast do të vazhdojë ndaj 21 të akuzuarve të tjerë për pjesëmarrje në turmë që ngarkohen se kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Sipas aktit akuzues, të akuzuarit Ngadhënjim Haxhosaj dhe Salih Zyba me datë 27 janar të vitit 2015, ngarkoheshin se secili veç e veç kanë sulmuar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare,  për të cilën vepër është paraparë dënimi me burg prej tre muaj e deri në tre vite, ndërsa i akuzuari Leotrim Pacolli se ka Penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare vepër e cila është po ashtu e dënueshme me burg prej tre muaj e deri në tre vite, me rastin e protestave të vitit  2015.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se deri tek parashkrimi absolut i ndjekjes penale në  këtë  rast erdhi duke marrë  parasysh faktin se kanë  kaluar gjashtë  vite nga koha kur është  kryer vepra penale.

 
“Duke pasur parasysh se afati i parashkrimit fillon nga dita kur është kryer vepra penale, rrjedhë se që nga koha kur të pandehurit Ngadhënjim Haxhosaj, Salih Zyba dhe Leotrim Pacolli ngarkohen me aktakuzë të e kenë kryer veprën penale, kanë kaluar gjashtë vite, çka do të thotë se në rastin konkret ndaj të pandehurve Haxhosaj, Zyba dhe Pacolli, për veprat penale që akuzohen ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, thuhet në  vendimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, për veprat penale të  sulmit ndaj personit zyrtar nga neni 140 par.1 dhe asaj të  pengimit ndaj personave zyrtar neni 409 par.1  nga Kodi i Vjetër Penal, parashihet dënimi me burgim prej tre muaj deri në  tri vite.

Në  rrethana të  tilla, gjykata ka vlerësuar se neni 106.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Kodi i vjetër, ka paraparë se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar tre vite nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një vit burgim. Ndërsa sipas dispozitës së nenit 107 par.8. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, parashihet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit.

Si rezultat i kësaj gjykata ka marrë aktvendim për hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarve për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike për kompensimin e dëmit të shkaktuar me këtë vepër penale.

Në dispozitivin e parë  të  kësaj aktakuze Augustin Zukaj, Arbër Jashari, Alban Nazifi, Bajram Llapashtica, Bashkim Bejtullahu, Bejtullah Munishi, Besart Grezda, Bardhosh Zjaça, Bajram Jonuzi, Besnik Salihaj, Dritan Gashi, Florian Sylejmani, Faik Rrustemi, Hysen Saferi, Ilir Nura, Gëzim Shatri, Kushtrim Ramadani, Kujtim Jakupi, Meriton Cakiqi, Minush Krasniqi, Rexhep Korçaj, secili veç e veç ngarkohen me veprën penale  “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm” nga neni 412 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, në të njëjtën datë, rreth orës 14:30 minuta, në Prishtinë, përkatësisht, sheshin “Skënderbeu”  me rastin e mbajtjes së protestës gjithë popullore, të organizuara nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, e  përkrahur nga dy subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës dhe Nisma, të pandehurit Salih Zyba dhe Ngadhënjim Haxhosaj, secili veç e veç, me dashje, drejtpërsëdrejti kanë sulmuar personat zyrtar në kryerjen e detyrës lidhur me sigurinë e përgjithshme.

Në aktakuzë thuhet se, kanë vepruar në atë mënyrë, që në shenjë pakënaqësie për rrjedhën e protestës, fillimisht të njëjtit futen brenda kordonit të sigurisë, ku me veprimet e tyre kanë shfaqur sjellje të dhunshme, duke i shtyre në vazhdimësi me duar dhe me tëre trupin zyrtarët policor, pastaj me lëvizjet e tjera me dorë e këmbë kanë tentuar të i godasin, për çka arrestohen

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë arrestimit i pandehuri Zyba, edhe më tej, ka shfaqur rezistence aktive, ku në një moment me duar nga këllëfi i  brezit, ka tentuar t`ia heq armen zyrtare, zyrtarit policor Berat Gashi, me ç ‘rast zyrtari policor Adnan Muriqi, me koleget e tjerë, i ofrojnë ndihmën dhe arrijnë të ndalojnë në marrjen e armës, e më pas të shoqërojnë të njësia më e afërt e arrestimeve.

Ndërsa, në dispozitivin e fundit të aktakuzës, thuhet se, me 26 janar 2015, rreth orës 11:45 minuara, përkatësisht afër hotel Grandit, i pandehuri Leotrim Pacolli, me dashje, drejtpërsëdrejti, me forcë mekanike ka penguar personat zyrtare në kryerjen e detyrës zyrtare, në atë mënyrë që, i njëjti edhe  përkundër tërheqjes së vërejtjes verbale të zyrtarëve policorë të caktuar në atë pikë sipas planit operativ rreth organizimit të protestës gjithë popullore, të largohet nga sheshi i qytetit, zonë kjo e ndaluar për qarkullim të automjeteve.

Ashtu që, drejton kamioneten e tipit Mercedes, për të i dërguar pajisjet teknike të zërimit, për protestën që do të mbahej në atë lokacion ditën e nesërme, me ç ‘rast gjatë lëvizjeve me kamionët ka tentuar të i shkel të gjithë zyrtarët policor në detyrë, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, në detyrë ishin zyrtarët policor Lulzim Borovci, Qamil Gashi, Besim Ibrahimi, Safet Veliu, ndërkaq Qamil Behrami, me pjesën e përparme të kamionetës goditet në trup, ku si pasojë e goditjes rrëzohet në tokë, mirëpo në atë kohë nuk kërkon trajtim mjekësorë.

Me këto veprime, Prokuroria në Prishtinë, e ka ngarkuar  me veprën penale “Pengim i personit zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare”  nga neni 409 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

x