Jeta e varur nga bombolat e oksigjenit

15.09.2021 16:31

Jeta e varur nga bombolat e oksigjenit

Pothuajse të gjitha pacientët me koronavirus, që po kërkojnë trajtim mjekësor në Kosovë, janë të varur nga oksigjeni.

Nëse nuk marrin oksigjen në kohë, shëndeti i tyre përkeqësohet. Mjekët e infermierët janë në përkujdesje të tyre.

Në shtatë reparte të Spitalit të Gjilani janë të përgatitur 196 shtretër për të infektuarit me koronavirus.

Më datën 13 shtator, kur ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi këtë spital, afër 100 shtretër ishin të zënë me pacientë.

Mbi 70 për qind e tyre ishin me oksigjeno-terapi.

Shumë nga pacientët e shtrirë nuk mund të lëvizin apo të flasin. Ata ndihen të lodhur. Sëmundja ka rënduar shëndetin e tyre.

Xhylferije Shala po përkujdeset për bashkëshortin e saj. Ai është në oksigjeno-terapi, që kur është shtrirë në spital 10 ditë më parë.

Për asnjë moment, ajo nuk largohet nga dhoma.

“Ka qenë i sëmur, por mbijetoi. Mos ta kishte pasur vaksinën, ndoshta do të ishte edhe më keq”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Infuzionet e shumta që ka marrë brenda një jave, që kur është shtirë në spital, kanë mavijosur duart e Nurije Kryeziu, 67-vjeçare.

Për dhjetë ditë ajo është trajtuar me oksigjeno-terapi.

“Kam qenë keq e sëmurë. Tani jam më mirë. Por, sot edhe burri im është shtirë në spital”, tregon ajo.

Të pavaksinuarit, thonë mjekët, janë ata pacientë të cilët po shfaqin simptoma më të rënda klinike.

Magbule Kqiku po qëndron në Klinikën e Gjilanit me nënën e saj e sëmur me COVID-19. Ajo thotë se nëna e saj vazhdon të këtë situatën e rëndë shëndetësore dhe vazhdimisht po trajtohet me oksigjeno-terapi.

“E ka pasur gjendjen shumë kritike. Askush nuk ka besuar që shpëton. Çdo mëngjes ka marrë nga pesë infuzione”, tregon Kqiku.

Aparatet të cilat tregojnë nivelin e oksigjenit janë pothuajse pranë çdo pacienti.

Në momentin që pacientëve u bie niveli i oksigjenit, mjekët intervenojnë.

Në spitalin e Gjilanit në repartin e Infektives dhe në Pulmologji tani ka numër të mjaftueshëm të infermierëve dhe mjekëve, gjë e cila një muaj më herët kishte munguar.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, autoritetet shëndetësore kanë angazhuar 1,116 staf shtesë shëndetësorë.

Po ashtu, janë rritur edhe kapacitetet spitalore për t’i bërë ballë numrit të lartë të personave që po kërkojnë hospitalizim pas infektimit me koronavirus.

Ata shihen brenda e jashtë dhomave ku po trajtohen pacientët.

“Qëllimi ynë është të shpëtojmë sa më shumë jetë”, thotë Mirvete Daku-Kurteshi, shefe e repartit të Klinikës Infektive.

Në këtë spital janë trajtuar pacientë të shumtë edhe të moshave të reja. Po ashtu edhe numri i vdekjeve është i lartë.

Që nga fillimi i pandemisë deri më 13 shtator, Gjilani ka regjistruar 369 vdekje.

Drejtori i spitalit, Arsim Emini thotë se në mesin e viktimave ka pasur edhe persona të moshave të reja.

“Kemi pasur raste që kanë vdekur në moshën 50-vjeçar, nën 50-vjeçar, 32-vjeçar, një paciente e kemi pasur 22-vjeçare”, thotë Emini.

Në Kosovë rritja e numrit të rasteve me koronavirus nisi në mesin e muajit gusht, teksa varianti Delta – që është variant më ngjitës – është bërë variant dominues i koronavirusit.

Që prej fillimit të pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 2,845 persona.

x