Kosova marrëveshje me Serbinë për çështjen e faturimit të rrymës në veri? Flet Bislimi

23.05.2022 16:48

Kosova marrëveshje me Serbinë për çështjen e faturimit të rrymës në veri? Flet Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se Kosova është afër arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë për energjinë, rrjedhimisht faturimin e pjesës veriore.

Ai këtë deklaratë e ka thënë teksa po raporton në Komisionin për Punë të Jashtme lidhur me dialogun me Serbinë.

“Te çështja e energjisë ne kemi prezantuar një udhërrëfyes se si duhet të vijmë deri te normalizimi i situatës me normalizim që ka paraparë hapa nga licencimi i Elektroserverit deri te faturimi i plotë. Për këtë janë paraparë 105 ditë dhe mendoj që ne jemi shumë afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje dhe mbase edhe shumë shpejt mund të thuhet se ka dakordim dypalësh që të fillojë implementimi i saj”, tha ai.

Duke mos dhënë detaje, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mund të ketë rezultate konkrete drejt kësaj marrëveshjeje.

“Prandaj në këtë rast kisha dashtë pak a shumë hapësirë që të mos flas për detajet e marrëveshjes, në mënyrë të mos rrezikohet asgjë në moment të fundit. Por mund të them që këtu jemi në rrugë të mirë që më në fund të kemi rezultate konkrete dhe përfundimisht veriu i Kosovës të futet në sistem normal të furnizimit, faturimit dhe pagesës së faturave të energjisë”, tha zëvendëskryeministri.

Ndërkaq për çështjen e targave, Bislimi tha se nuk është arritur ndonjë pajtim me Petkoviqin.

x