Kryetari i Klinës dënohet me 4 mijë euro gjobë për korrupsion

01.12.2021 11:11

Kryetari i Klinës dënohet me 4 mijë euro gjobë për korrupsion

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, u dënua me 4 mijë euro gjobë, për akuzën për konflikt interesi.

 
Aktgjykimi ndaj Elezajt u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova. Lajmi u bë i ditur nga Gjykata Themelore në Pejë.

“Me datë 20.02.201, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës e ka ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF, ka marr pjesë personalisht në çështjen zyrtare – administrative duke marr vendim me të cilin ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar me datë 02.02.2018, për pozitën “Mjek i praksës së përgjithshme” (një ekzekutues), në atë mënyrë që komisioni në fjalë, e ka përzgjedh vajzën e të pandehurit si më të suksesshmen duke e punësuar te njëjtën si mjeke të praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare”, thuhet në njoftim.

“Të pandehurit Z.E gjykata i shqiptoj dënimin me gjobë në shumë prej katërmijë (4.000) euro, të cilin dënim obligohet ta paguaj në afat prej gjashtë (6) muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i pandehuri, dënimin me gjobë nuk e paguan brenda afatit të caktuar atëherë, të njëjtit dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burg duke ju llogaritur një (1) ditë burgu për çdo njëzet (20) euro të gjobës”, shtohet tutje në komunikatë.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

x