Kurti takohet me Von der Leyen, flet për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave

07.12.2021 19:05

Kurti takohet me Von der Leyen, flet për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave

Pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kryeministri i ka shprehur mirënjohjen e qeverisë Von der Leyen për mbështetjen që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin e vendit.

Gjithashtu, Kurti e njoftoi për reformat e ndërmarra në drejtësi, për angazhimet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, luftën e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe reformat kyçe për zhvillim dhe përafrim me Bashkimin Evropian. Ai e njoftoi presidenten e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, rritjen e eksportit, të të hyrave tatimore dhe investimeve direkte në Kosovë.

Biseda u fokusua në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe bashkëpunimin në mes të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit.​

x