Kuvendi miraton Projekt-kodin e Procedurës Penale

19.10.2021 14:55

Kuvendi miraton Projekt-kodin e Procedurës Penale

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në shqyrtim të parë Porjekt-kodin e Procedurës Penale, i cili parasheh gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, ndërsa trajton edhe suspendimin e zyrtarëve publik në rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i këtij projekt-kodi është avancimi i drejtësisë penale për të vendosur sundimin e ligjit në vendin tonë.

“Disa nga ndryshimet që janë më të rëndësishme, më substanciale janë gjykimi në mungesë, është shtuar neni i ri me gjykimin me mungesë i cili përcakton se nëse i pandehuri i cili vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonojë procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjejë një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar. Këtu bëhet një dallim ndërmjet gjykimit në mungesë për veprat tjera, përjashto ato të krimeve të luftës, për faktin se për rastet e krimeve të luftës jo domosdoshmërisht kërkohet që i pandehuri të jetë në seancën e parë apo në seancën fillestare”, tha ajo.

Deputetët me 80 vota e kanë miratuar në shqyrtim të parë edhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë.

“Konsiderohet se do të rregullojë këtë fushë në mënyrën e duhur dhe me efikasitet të lartë, si dhe në mënyrë që të lehtësohet ekzekutimi i kërkesave të parashtruara nga organet gjyqësore të huaja tek organet gjyqësore në Republikën e Kosovës, por edhe anasjelltas. Përveç plotësimit të zbrastësirave të kornizës ligjore ekzistuese për ndihmë juridike ndërkombëtare në çështje civile projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile do të plotësojë në masë të madhe mungesën e anëtarësisë së Republikës së Kosovës në konferencën e Hagës dhe në konventat e saj. Po ashtu pasqyron saktë praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe unifikon procedurat me BE-në”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke punuar për t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në konferencën e Hagës.

Miratimin e Kuvendit të Kosovës e ka marrë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, ku për kanë votuar 66 deputetë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i tij është realizimi i objektivave për të përmirësuar qasjen në drejtësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale, lehtësim të procedurave të ekstradimeve për të pasur ekstradime më të shpejta në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si dhe avancimin e legjislacionit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15.

x