LDK heq dorë nga fushata 30-ditore, e redukton në pesë

13.09.2021 23:01

LDK heq dorë nga fushata 30-ditore, e redukton në pesë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në kryesi kanë marrë vendim që vullnetarisht të heqin dorë nga fushata 30 ditore për zgjedhjet lokale dhe atë ta reduktojnë në pesë.

 Ai ka thënë se mund edhe të mos bëjnë fare fushatë nëse situata epidemiologjike në vend përkeqësohet.

“Sot, në mbledhjen e radhës së Kryesisë së LDK-së morrëm vendim që të heqim dorë vullnetarisht nga fushata konvencionale zgjedhore. Për shkak të situatës së rënduar pandemike, produkt i papërgjegjësisë së Qeverisë, ne do të reduktojmë fushatën konvencionale në vetëm pesë ditë – deri në moszhvillim të plotë të saj po që se nuk ka përmirësim. Ky propozim është mbështetur nga pjesa më e madhe e partive në vend; të cilat i falënderoj për përgjegjësi qytetare. Pres të njëjtin hap ta ndjekin dhe të tjerat që nuk kanë marrë ende vendim”.

“Do të zhvillojmë fushatë dixhitale, sociale, mediatike; e çdo aktivitet tjetër do të jetë në përputhshmëri të plotë me rekomandimet shëndetësore. Sepse para aktivitetit tonë politik, vjen jeta e bashkëqytetarëve tanë, njerëzve tanë, familjarëve tanë”.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, përsëriti se sonte u mbrojt demokracia duke iu referuar takimit konsultativ me presidenten ku qëndrimi i shumicës së partive politike ishte që të mos shtyhen zgjedhjet.

“Në mbrëmje, ndërsa, në takim me partitë politike, mbrojtëm demokracinë, gjënë më të shenjtë në vend. Zgjedhjet janë festë. Aty shprehet vullneti fundamental i qytetarëve tanë; dhe në demokraci rëndësi ka që qytetarët të jenë të lirë të votojnë për këdo që preferojnë. Këtë vullnet askush s’mund e s’guxon ta prekë. Prandaj 17 tetori është ditë e demokracisë. Deri atëherë, Qeveria të rikthehet në menaxhim pandemik. Të vaksinojë, të menaxhojë, e të kujdeset për masat që i vendosë vet”.

x