Lirohen tre persona të arrestuar dje në aksionin në veri

14.10.2021 13:55

Lirohen tre persona të arrestuar dje në aksionin në veri

Policia e Kosovës ka zhvilluar dje aksion kundër kontrabandës në komunat Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri dhe Zveçan.

Gjatë realizimit të operacionit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan, një grup protestuesish serbë kanë sulmuar zyrtarët policor duke i penguar në kryerjen e detyrës.

Protestuesit kanë përdorur automjete për të bllokuar rrugët, kanë përdorur armë zjarri, granata dore, bombola gazi, bomba shokues e mjete të tjera.

Nga sulmi i protestuesve, janë lënduar dhjetë zyrtar policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa janë shkaktuar dëme material në disa automjete zyrtare.

Në raportin 24-orësh të policisë është bërë e ditur se në lidhje me rastin janë shoqëruar në polici tetë persona të dyshuar meshkuj, por që tre prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit të rastit.

“Në lidhje me rastin janë shoqëruar në polici tetë të dyshuar meshkuj të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë meshkuj kosovarë janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dhjetë të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Njoftimi i plotë i PK-së:

PJESMARRJA OSE ORGANIZIMI I GRUPIT KRIMINAL TË ORGANIZUAR & KONTRABANDË ME MALLËRA & TREGËTI E NDALUAR & SHMANGIE NGA TATIMI

Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, dhe Zveçan, 13.10.2021 – 07:00.

Është raportuar se Drejtoria e Hetimit të Krimit  të Organizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të asistuar nga njësi të ndryshme relevante policore, me urdhëresë lëshuar nga gjykatat kanë kontrolluar-bastisur në lokacionet e cekura me qëllim luftimin e kontrabandës.

Gjatë operacionit në disa lokacione të ndryshme , shtëpi banimi dhe lokale të ndryshme janë gjetur  dhe sekuestruar:  mallra të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale në vlerë prej qindra- mijëra €.

Gjatë realizimit të operacionit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan nga një grup protestuesish duke i  sulmuar dhe penguar në kryerje të detyrës kanë  bllokuar  rrugët me mjete transportuese, përdorë armë zjarri,  granata dore, bombola gazi, bomba shokuese e tjera,  me ç rast lëndime trupore kanë pësuar dhjetë zyrtar policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në disa automjete zyrtare.

Në lidhje me rastin janë shoqëruar në polici tetë të dyshuar meshkuj të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë  meshkuj kosovarë  janë  dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Dhjetë të  dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim. Rasti vazhdon të hetohet.

x