Mehaj merr mbështetje nga autoritetet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së

14.10.2021 16:59

Mehaj merr mbështetje nga autoritetet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së

Gjatë qëndrimit në SHBA, ministri Mehaj vizitoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (United States National Security Council). Në Ambasadën e Kosovës në SHBA ai takoi drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore, Robin S. Brooks.

Përmes një komunikate për media nga Ministria e Mbrojtjes, thuhet se Mehaj e informoi Brooks me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Në vazhdim ata diskutuan edhe për sigurinë rajonale, ndikimet e huaja si dhe ndryshimet në mjedisin e sigurisë globale. Nga ana e saj, Brooks vlerësoi vizionin dhe objektivat e ministrit Mehaj për të ardhmen, me theks të veçantë angazhimin e tij në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Ajo u zotua se do të punojë ngushtë për të realizuar prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe qëllimet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Më pas, ministri Mehaj vazhdoi agjendën e tij me vizitën në Këshillin Atlantik, në Ëashington DC, ku para shumë ish-diplomatëve, ambasadorëve dhe njohësve të shumtë të rajonit tonë, çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, u adresua duke njoftuar ata me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në veçanti.

Ai gjithashtu theksoi se vizioni i qeverisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe orientimi euroatlantik.

“Ndër qëllimet tona kryesore strategjike si shtet dhe qeveri, është angazhimi maksimal për anëtarësim në NATO dhe BE. Për këtë, nga fushëveprimi ynë si Ministri e Mbrojtjes, jemi të fokusuar në zhvillimin dhe modernizimin e Forcave Mbrojtëse sipas standardeve më të avancuara të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s që të jenë efektivisht të ndërvepruese në misione të përbashkëta paqeruajtëse dhe të stabilitetit”, theksoi ministri Mehaj në fjalën e tij të rastit.

Me theks të veçantë, përveç vlerësimit dhe mirënjohjes maksimale për mbështetjen e deritashme nga SHBA, ministri Mehaj të pranishmëve u rikujtoi se partneriteti i Kosovës me SHBA-në është jetik dhe i pazëvendësueshëm dhe se do të angazhohet maksimalisht që ky partneritet të fuqizohet edhe më shumë në të gjitha aspektet.

Këshilli Atlantik është një “think tank” amerikan në fushën e çështjeve ndërkombëtare, i themeluar në vitin 1961. Ai menaxhon dhjetë qendra rajonale dhe programe funksionale që lidhen me sigurinë ndërkombëtare dhe prosperitetin ekonomik global.

x