Mjeku kroat jep detaje nga aksidenti tragjik i autobusit kosovar: 45 persona janë të lënduar, 8 rëndë

25.07.2021 11:04

Mjeku kroat jep detaje nga aksidenti tragjik i autobusit kosovar: 45 persona janë të lënduar, 8 rëndë

Të paktën 10 persona raportohet të kenë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci.

Mediumi kroat Index.hr ka raportuar se 45 persona janë pranuar në spital për shkak të këtij aksidenti.

Drejtori i spitalit, Josip Samardziq ka deklaruar se 45 persona janë pranuar në spital që nga ky mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas një aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod.

Poashtu u theksua se 8 nga të lënduarit janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Këtë mëngjes rreth orës 06:20 në autostradën afër Slavonski Brod, pranë stendave të taksave në korsinë jugore, një autobus me targa të Kosovës ka dal nga rruga, si pasojë 10 persona kanë vdekur.

Njëri nga udhëheqësit e policisë në vendin e ngjarjes ka rrëfyer për rastin, të cilin e ka vlerësuar nga më të rëndat deri tani.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është ndër aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha Galiq.

x