Murati, ndryshe nga Konjufca, nuk jep datë për zgjidhjen e problemit të rrymës në veri

26.01.2022 11:40

Murati, ndryshe nga Konjufca, nuk jep datë për zgjidhjen e problemit të rrymës në veri

Ministri i Ekonomisë, Transfereve dhe Financave, Hekuran Murati, kur u pyet për çështjen e faturimit të banorëve të komunave veriore në Kosovë, tha se është problem i trashëguar nga qeverisjet e kaluara.

“Tash nuk di se çka është diskutua. Di që dje kanë qenë në raportim në komisionin për ekonomi. Ne në vazhdimësi jemi duke punu që probleme të tilla që i kemi trashëgu në 20 vitet e kalume, madje madje janë zmadhu dhe janë trashë si probleme, do të mundohemi si qeveri që t’i zgjidhim në afatin sa më të shkurtër”, deklaroi ai në një konferencë të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndryshe nga Murati, kryekuvendari Glauk Konjufca e jepte qershorin si afat optimal për zgjidhjen e problemit të çështjes së rrymës në veri.

“Unë mendoj në gjashtë muajt e ardhshme, kritike është kthimi i bllokut, edhe kritike është futja e pjesës së veriut të Kosovës në pagesë. Na po jemi si afat, unë mendoj që nëse me 1 qershor vijm qetu, edhe qeto probleme janë zgjidh. Unë po e jap si një far verzioni. Unë mendoj që dimri i vitit 2022/3, ka me qenë krejtësisht i pavrejtshëm, si disa dimra të 2015-ës, 2016-ës”, deklaronte Konjufca ditë më parë.

ZRRE-ja bëri të ditur dje se banorët e komunave veriore nuk preken nga rritja e çmimit të tarifës së energjisë elektrike.

x