Në QKMF në Prishtinë debatohet për draft-ligjin për infermierinë

20.10.2021 18:17

Në QKMF në Prishtinë debatohet për draft-ligjin për infermierinë

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka vazhduar debatin për Draft Ligjin për Infermierinë.

Zyrtarë të OIK kanë njoftuar anëtarësinë në lidhje me ndryshimet dhe përfitimet që do të kenë infermierët dhe punonjësit tjerë shëndetësorë pas miratimit të Ligjit për Infermierinë. Kësaj radhe, debati është shtrirë në QKMF në Prishtinë, me një prezencë të një numri të madh të infermierëve dhe punonjësve tjerë shëndetësorë.

Naser Rrustemaj, kryetar i Odës së Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë tha se Ligji për Infermierinë është mjaft i rëndësishëm për komunitetin infermieror dhe gjitha vërejtjet dhe sygjerimet për këtë ligj do të adresohen tek sponsorisuesi i draft ligjit.

Hysni Bajrami, panelist në hartimin e draft ligjit për infermierinë, ka thënë se përmes këtij ligji do të zgjidhen shumë probleme që rëndojnë mbi infermierinë.

“Ne kemi ligj për odat shumë të avancuar dhe më të avansuar se shumë shtete tjera që ia kanë zili ligjit kosovar për odat mjekësore sepse është bartë çdo gjë tek odat, gjitha përgjegjësitë, kompetencat që shteti i ka pasur i ka batrur tek komuniteti për t’u vetëqeverisur. Por nuk e kemi ligjin për infermirinë”, ka thënë Bajrami, duke theksuar se kemi një shpërputhje pasi në një anë ekziston një ligj shumë i avansuar për odat kurse mungon ligji për infermierët.

Bajrami ka thënë se infermierët përceptojnë nga brenda problemet dhe janë dëshmitarë të atyre problemeve që mund të zgjidhen me ligj.

“Ka thirrje të ndryshme infermierore. Në esencë vetëm thirrja dallon por jo edhe puna e përgjegjësia asgjë nuk dallojnë”, është shprehur Bajrami, duke thënë se këto do të rregullohen me ligj.

Drejtori i QKMF në Prishtinë Bujar Gashi, ka thënë se angazhimi i infermierëve është i pa zëvendësueshëm. “Andaj ju asnjëherë mos hezitoni të kërkoni atë që iu takon dhe duhet të jetë e futur edhe në pjesën e ligjit”, ka thënë Gashi. 

Servete Xhema, teknike e stomatologjisë në QKMF në Prishtinë tha se në draft ligjin e ri, teknikët e stomatologjisë nuk po e gjejnë askund veten.

“Nuk kemi pasë mundësi të përfundojmë studime deri më tani, tashmë ka në sektorin privat, mirëpo soecifikat e punës sikur te infermierët për teknikë të stomatologjisë nuk janë të përfshirë”, ka thënë Xhema, duke kërkuar që profili i tyre të futet në këtë draft-ligj. 

Por, përgjigja e zyrtarëve të OIK ishte se dispozitat e Ligjit, në mënyrë analoge sikurse për infermierët do të zbatohen ngjashëm edhe tek teknikët e profileve tjera. 

Ndryshe, pas miratimit të ligjit të ri, gjithë ata infermierë dhe teknikë mjekësorë të profileve të ndryshme që nuk kanë ushtruar për pesë vite profesionin e tyre do t’i ri-nënshtrohen mbajtjes së stazhit profesional. 

x