Osmani takohet me Lajçakun, çfarë u diskutua në takim?

25.11.2021 19:59

Osmani takohet me Lajçakun, çfarë u diskutua në takim?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.

 
Sipas komunikatës së ZPRK-së, Presidentja Osmani ka theksuar se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.

“Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë”, thuhet në komunikatë.

Në takim, presidentja theksoi po ashtu “urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike”.

Tutje në komunikatë thuhet se Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Lajçak takoi edhe kryeministrin Kurti, ku takimi ishte i mbyllur për medie.

x