Pacolli për rrymën: Ka projekte ku janë bërë investimet, por s’mund të funksionalizohen shkaku i bllokadave në ZRRE

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli është deklaruar lidhur me problemet e fundit sa i përket energjisë elektrike në Kosovë.
Pacolli tha se problemet energjetike po prekin çdo segment të shoqërisë, qytetarët dhe bizneset.
Sipas tij sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh.
“Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE”, deklaroi ai.
Behgjet Pacolli tha se një rast i tillë është në Sharr dhe Brezovicë ku ka prodhues të energjisë me kapacitet të lartë, por që nuk po lëshohen licencat nga ZRRE.
Postimi i plotë:
Problemet energjetike në Kosovë sot po prekin çdo segment të shoqërisë sonë, qytetarët dhe bizneset. Politikat adekuate ndaj investitorëve ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë por edhe në diversifikim.
Sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh. Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE.
Një rast i tillë është në Sharr dhe Brezovicë ( rastesishtë e njoh rastin jane investitorë nga jashtë), të cilat kanë mbi 10 Mgë kapacitet prodhues të energjisë, por nuk janë duke u lëshuar licencë nga ZRRE.
Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRRE.
Vetëm me prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe me mbrojtjen e duhur të investitorëve dhe rregullat ligjore moderne është e vetmja rrugë për të zhvilluar ekonominë tonë, për të rritur investimet e huaja dhe për të prodhuar më shumë energji dhe ngritjen e kapaciteteve të reja.
Tani si po shkon, pengesat burokratike dhe problemet energjetike po i largojnë investitorët aktualë dhe potencialë nga Kosova.