Pas akuzave se sulmoi një anëtar të “Demokratëve për Drenasin”, reagon Lladrovci: Nuk ka pasur kurrëfarë konflikti as sulmi fizik

16.10.2021 23:01

Pas akuzave se sulmoi një anëtar të “Demokratëve për Drenasin”, reagon Lladrovci: Nuk ka pasur kurrëfarë konflikti as sulmi fizik

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pasi Demokratët për Drenasit, subjekt rival i Lladrovcit në zgjedhje lokale, akuzoi kryetarin e Drenasit për sulm ndaj Fatmir Dugollit – anëtar i shtabit zgjedhor nga Demokratët.

 
Në reagimin e “Demokratëve për Drenasin”, thuhet se Lladrovci e kërcënoi dhe sulmoi fizikisht Fatmir Dugollin.

E Lladrovci ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë konflikti e as sulm fizik. Sipas tij, kjo është tendencë për viktimizim.

“Ju njoftoj se nuk ka pasur kurrfarë konflikti as sulmi fizik. Kjo është tendencë për viktimizim të një subjekti garues që pas fushatës tonë të shkëlqyer përpiqet të marrë vëmendjen”, ka thënë Lladrovci për Express.

Lladrovci tregoi versionin e tij të rrjedhë ssë ngjarjes. Sipas tij, me Dugollin ka patur vetëm një përshëndetje dhe secili ka shkuar në drejtimin e vet.

“Kamerat e sigurisë janë në endin e ngjarjes dhe mund të verifikohet lehtë se krejt çka ka ndodhur, në hyrje të një lokali, jemi përshëndet dhe secili ka shkuar në drejtimin e vet”, ka thënë Lladrovci.

“Të nderuar, Ju njoftoj se nuk ka pasur kurrfarë konflikti as sulmi fizik. Kjo është tendencë për viktimizim të një subjekti garues që pas fushatës tonë të shkëlqyer përpiqet të marrë vëmendjen. Nuk ka pasur as sulm as tendencë për sulm ndaj ish kandidatit për kuvend nga PDK, tash anëtar i një subjekti tjetër politik. E vetmja e vërtetë është se jemi përshëndet dhe jemi ndarë si miq, asgjë më shumë. Kamerat e sigurisë janë në endin e ngjarjes dhe mund të verifikohet lehtë se krejt çka ka ndodhur, në hyrje të një lokali, jemi përshëndet dhe secili ka shkuar në drejtimin e vet. Ky inskenim gjatë heshtjes zgjedhore bëhet me qëllim të caktuar”, ka thënë Lladrovci.

Subjekti politik “Demokratët për Drenasin” kanë akuzuar kandidatin për kryetar të PDK’së, Ramiz Lladrovci, se e ka sulmuar fizikisht anëtarin e tyre, Fatmir Dugolli.

Të njëjtit kanë thënë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë forcat e rendit, por këta të fundit kanë qenë të paqasshëm.

Demokratët nga Drenasi është një fraksion, kryesisht, i përbërë nga disa persona që kanë dalë nga dega e PDK-së në Drenas, pasi kryesia e PDK-së zgjodhi që si kandidat për kryetarë ta kandidojë Ramiz Lladrovcin.

x