Pozicionimi në krahë të Ukrainës, ekspertët thonë se ushtria e Kosovës mund të ndihmojë në disa mënyra aleatin e SHBA-së

23.01.2022 20:58

Pozicionimi në krahë të Ukrainës, ekspertët thonë se ushtria e Kosovës mund të ndihmojë në disa mënyra aleatin e SHBA-së

Ushtarakë të Kosovës dhe njohës të politikave ndërkombëtare thonë se Kosova duhet të përfshihet në konfliktin e Ukrainës vetëm nëse një gjë të tillë ia kërkon NATO dhe SHBA.

 
FSK është ndër ushtritë më të reja në botë. Ajo ka përgjegjësi të mbrojë sovranitetin e Kosovës.

Mirëpo që nga 13 janari sipas ligjit, ushtria e Kosovës mund të dërgohet edhe për misione jashtë vendit.

Ukrainës, vendit që po i qëndrojnë në kufi rreth 100 mijë ushtarë rus, i ka dalë në krahë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas ish-komantatit të FSK-së, Kadri Kastratit, nëse ushtria e Kosovës ftohet nga aleatët në Ukrainë, ajo mund të ndihmojë në disa aspekte.

“Ne mund të marrim pjesë me oficer shtabi, oficer të operativës, mund të marrim pjesë në mjekësi, kërkim shpëtim, logjistikë dhe disa prej kapaciteteve të ushtrisë sonë janë të gatshëm që krahë për krahë me çfarëdo oficeri të ushtrive aleate të kryejnë misionin që kërkohet”, TvDukagjini.

Mirëpo Kastrati thotë se një intervenim i tillë mund të ndodh vetëm me ndonjë ftesë nga NATO dhe SHBA-ja.

Nga ana tjetër, njohësi i politikave ndërkombëtare Abit Hoxha, thotë se një pozicionim i tillë i Kosovës në një konflikt të mundshëm Rusi-Ukrainë është i ngutshëm.

“Është herët për Kosovën të merr një pozicionim të tillë pa pasur nevojë ta ketë një qëndrim aq të madh. Ukraina është një shtet që në relacion me Kosovën nuk ka ndonjë lëvizje pozicioni për shkak të dinamikave të brendshme të vendit të tyre, jo për shkak të mos dëshirës së qeverisë së tanishme për ta njohur Kosovën. Nga Kosova shpesh herë bëhen deklarata sa për t’u bërë lajme në mediat ndërkombëtare, por ky qëndrim për Ukrainën nuk çon ndonjë peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, deklaroi Hoxha.

Ukraina dje ka pranuar 90 tonelata armatim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Grumbullimi i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka ngjallur shqetësime në Perëndim duke nxitur frikën mbi një pushtim të mundshëm rus.

Nëse Rusia kryen një inkursion, Perëndimi ka kërcënuar me sanksione me efekte ekonomike të gjera.

x