Shkarkimi nga KQZ-ja, Daka sot i drejtohet Avokatit të Popullit

27.10.2021 08:58

Shkarkimi nga KQZ-ja, Daka sot i drejtohet Avokatit të Popullit

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se sot do të dërgojë një kërkesë te Avokati i Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja Vjosa Osmani në mënyrë që ky institucion më pas të mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në emër të saj.

 
Ajo tha se nuk po e kërcënon presidenten Osmani duke shtuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese por dëshiron që të zgjidhet dilema nëse presidenti/ja mund ta shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim.

Meqë deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka mendoj se është për të ardhur keq, sepse nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”, tha ajo në Klan.

x