Mbajtja e liturgjisë tek kisha në oborrin e UP-së, vjen reagimi nga Qeveria Kurti

10.06.2021 21:33

Mbajtja e liturgjisë tek kisha në oborrin e UP-së, vjen reagimi nga Qeveria Kurti

Qeverisë së Kosovës i janë dashur shumë orë për të reaguar për mbajtjen e liturgjisë serbe në Kishën e vendosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka thënë se ky aktivitet është bërë pa dijeninë e Policisë së Kosovës.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje që situate të tilla të mos përsëriten meqë ekziston një kontest pronësor.

“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, ka shtuar Ministri.

Ai ka shtuar se liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional, mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë.

“Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, tha ai.

x