VV në vitin 2019: Grevat e mësimdhënësve janë të drejta, presioni i prindërve dhe shoqërisë t’i drejtohet Qeverisë

21.05.2022 22:16

VV në vitin 2019: Grevat e mësimdhënësve janë të drejta, presioni i prindërve dhe shoqërisë t’i drejtohet Qeverisë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, gjatë ditë së djeshme bashkë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka mbajtur një protestë ku në drejtim të qeverisë kanë adresuar disa kërkesa.

Ndër kërkesat që SBASHK-u ia përcolli qeverisë përmes protestës, ishin miratimi i Ligjit të pagave, zbatimi Ligjit për sigurimet shëndetësore dhe heqja e kufizimit të përvojës së punës për pension të plotë kontributdhënës

Po ashtu, një kërkesë tjetër nga SBASHK-u, ishte që të ketë 100 euro të rritjes së pagës deri në miratimin e ligjit të pagave, për të gjithë të punësuarit në shërbimin publik përfshirë këtu edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Ndaj këtyre kërkesave, protestës së SBASHK-ut por edhe paralajmërimit për grevë të përgjithshme që u bë nga kjo sindikate, ka reaguar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ministri të cilën e udhëheq Arbërie Nagavci.

MASHT në reagimin e saj, ka deklaruar se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsim, duke shtuar se diskutimet për greva dhe protesta të mësimdhënësve nuk do të duhej të bëheshin në këtë kohë

“Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim, prandaj diskutimet për greva dhe protesta të mësimdhënësve nuk do të duhej të bëheshin në këtë kohë”, thuhet në reagimin e MASHT bërë në Facebook.

Tutje, MASHT, thotë se pretendimet e krerëve të SBASHK-ut nuk përkojnë me gjendjen në arsimin parauniversitar e as me nevojat për ta përmirësuar atë.

“Pretendimet e krerëve të SBAShK-ut për arsyet e mosmbajtjes së mësimit dhe  mbajtjes së grevës nuk përkojnë as me gjendjen në arsimin parauniversitar, as me nevojat për ta përmirësuar atë. Ato thjesht janë instrumentalizim i një të drejte sublime siç janë e drejta e grevës dhe protestës për punëtorët”, shtohet në reagimin e MASHT-it.

Me tej kjo ministri në reagimin e saj, u bënë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore.

“Ju bëjmë thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore dhe me përgjegjësi të kryejnë detyrën e tyre”, përfundon MASHT.

Por është pikërisht Ministrja e sotme e Arsimit, Arbërie Nagavci, ajo që në një konferencë të Lëvizjes Vetëvendosje, për media në vitin 2019, ishte shprehur se qeveria e asaj kohe ishte fajtore për grevat që bëheshin nga SBASHK-u.

Nagavci, para mediave deklaronte se qeveria në atë kohë, në njërën anë merrte vendime të papërgjegjshme, duke falur miliona euro nga buxheti i vendit, ndërsa në anën tjetër nuk mirrej me zgjidhjen profesionale të problemeve.

“Qeveria nga njëra anë merr vendime arbitrare dhe të papërgjegjshme duke i rritur pagën vetes jashtligjshëm, duke falur dhjetëra miliona euro nga buxheti i vendit pa asnjë kriter, duke stërmbushur kabinetin qeveritar me qindra këshilltarë, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, duke mbushur bordet e institucionet publike me militantë partiak, dhe nga ana tjetër nuk merret me zgjidhjen profesionale të problemeve dhe adresimin. Kjo Qeveri është fajtori kryesor për grevat që po ndodhin sot dhe për pamundësinë e fëmijëve që të jenë në kopshte e nxënësit nëpër shkolla”, deklaronte Nagavci.

Ministrja Nagavci, në atë kohë deputete, fliste edhe për ligjin e pagave, ku thoshte se projektligji i pagave ishte arsyeja kryesore për grevat që bëheshin. Duke shtuar se edhe presioni i prindërve por edhe i gjithë shoqërisë, duhet të binte mbi qeverinë e asaj kohe, pasi që, sipas Nagavcit, situata në arsim, ishte pasqyre e degradimit që qeveria e asaj kohe i kishte bërë arsimit.

“Është e papranueshme për ne që projektligji parasheh rritje të pagës për, deputetët, presidentin e qeveritarët përderisa kategori të caktuara të punëtorëve të arsimit renditën me pagë më ulët madje edhe se shoferët dhe ata që punojnë si mbrojtje e afërt e qeveritarëve. Presioni i prindërve dhe i gjithë shoqërisë duhet të jetë mbi Qeverinë për krijimin e kushteve, për mësimdhënie cilësore. Situata që e kemi sot në arsim, përfshi dhe rezultatet e fëmijëve tanë në testin PISA janë pasqyrë e degradimit që këto qeveri i kanë bërë arsimit”, deklaronte Nagavci.

Ndërsa sot, Nagavci, nuk ka krijuar kurrfarë hapësirë të volitshme diskutimi me SBASHK-un për zgjidhjen e problemeve, apo përmbushjen e kërkesave të kësaj sindikate.

Madje siç dihet, jo shumë kohë më parë, Gjykata Kushtetuese, ka gjetur që Nagavci e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga ish kryetari i kësaj komune, Qendron Kastrati. 

x