A është normale që fëmijët të mësojnë gjuhë të huaja që në klasë të parë?

10.09.2021 16:12

A është normale që fëmijët të mësojnë gjuhë të huaja që në klasë të parë?

Kjo është një temë mjaft e diskutuar kohët e fundit, sidomos pas vendimit se gjuha e huaj do të nistë që në klasën e parë, krahasuar me më parë kur niste në klasën e tretë të arsimit fillor. Por çfarë ndikimi do të ketë ky vendim në të ardhmen?

Gjuhët e huaja janë kulturë dhe domosdoshmëri në ditët e sotme, mirëpo në kushtet aktuale, duhet të kuptojmë më tepër problemet që lindin prej mësimit në moshë të hershme të anglishtes, apo gjuhëve të tjera. Është e vërtetë që në moshë më të vogël, aftësia për ta mësuar diçka të re është më e madhe. Por ne sot po përballemi me një shumicë shqiparësh që nuk njohin mirë gjuhën shqipe.

Gjuha jonë amtare është ndër më të vështirat për shkak të fjalorit të pasur dhe gramatikës së ngarkuar. Ajo kërkon vëmendje dhe përkushtim maksimal për ta kuptuar dhe përdorur në mënyrën e duhur, kjo për shkak se përvetësimi është tepër i vështirë. Në këto kushte, duke e mbingarkuar trurin e një fëmije, duket sikur mangësitë në gjuhën shqipe të folur dhe të shkruar do të thellohen akoma më tepër.

Të mësosh gjuhë të huaja është kulturë dhe meriton vlerësimin e vet, ama duhet të jemi pak më racionalë në të menduar. Nuk paten problem brezat tanë që i filluan gjuhët e huaja më vonë, përkundrazi arritëm të “përthithnim” më mirë rregullat e gjuhës shqipe. Personalisht mendoj se duhet të investohet më tepër në gjuhën mëmë. Është më e ndershme të mos dish shkëlqyeshëm anglisht duke qenë shqiptar, se sa të jesh shqiptar, të dish shkëlqyeshëm anglisht, ama të mos dish të shkruash gjuhën shqipe pa gabime.

x