Amerika nuk e kuptoi asnjëherë Afganistanin

29.08.2021 18:56

Amerika nuk e kuptoi asnjëherë Afganistanin

Nga Shadi Hamid

Shtetet e Bashkuara nuk e kuptuan asnjëherë Afganistanin. Planifikuesit në Uashington menduan se e dinin se çfarë i duhej këtij vendi. Por ajo nuk ishte e njëjtë me atë që donin afganët. Politika amerikane u motivua nga disa iluzione të caktuara.

Më kryesorja ishte ideja se talebanët mund të eliminoheshin, dhe se në këtë mënyrë mund të transformohej një kulturë e tërë. Në një botë ideale, talebanët nuk do të ekzistonin. Por ata ekzistojnë, dhe do të ekzistojnë edhe në të ardhmen.

Analistët perëndimorë, përpiqen gjithmonë që të kuptojnë se si grupime të tilla mizore fitojnë legjitimitet dhe mbështetje popullore. Afganët e mbajnë mend me siguri terrorin e sundimit taleban të viteve 1990, kur gratë fshikulloheshin më kamxhik nëse dilnin nga shtëpia pa burka, dhe ata që kryenin tradhti bashkëshortorë vriteshin me gurë në stadiumet e futbollit.

E si mund të harrohen ato ditë të zymta? Shtetet e Bashkuara i konsideruan talebanët si të këqij. Por të cilësosh mizor një grup njerëzish, do të thotë t’i nxjerrësh ata jashtë kohës dhe historisë. Por ky është një vizion i privilegjuar. Të jetosh në një demokraci që ofron siguri themelore, u jep mundësi qytetarëve që të kenë ambicie më të mëdha.

Ata do të zhgënjehen edhe nga një qeverisje relativisht e mirë, pikërisht sepse presin më shumë. Por në shtetet e dështuara dhe që gjenden në mesin e të luftërave civile, pyetjet themelore janë sesi të kemi më shumë rend dhe me pak kaos.

Talebanët e dinin këtë. Pasi u rrëzua nga pushteti në vitin 2001, grupi ishte tepër i dobët, dhe kishte nevojë të merrte veten nga sulmet shkatërruese ajrore kundër udhëheqësve të tij. Por vitet e fundit, talebanët kishin rimarrë shumë terren, duke hedhur rrënjë më të thella në komunitetet lokale.

Talebanët ishin vërtet brutalë. Por në të njëjtën kohë, ata kanë siguruar shpesh një administrim më të mirë sesa qeveria qendrore afgane e largët dhe e korruptuar. Ndërkohë, qeveria e Afganistanit e mbështetur nga SHBA, nuk dështoi vetëm për shkak të talebanëve. Ajo u pengua që në fillim në punën  saj nga verbëria dhe paragjykimet e Uashingtonit. SHBA-ja e pa autoritetin e fortë e të centralizuar si përgjigje për problemet e vendit.

Ndaj mbështeti një kushtetutë që i dha kompetenca të gjera kreut të shtetit.

Kjo bashkë me një sistem zgjedhor të çuditshëm dhe konfuz, minoi zhvillimin e partive politike dhe parlamentit. Një shtet i fortë kërkonte institucione ligjore zyrtare, dhe Shtetet e Bashkuara përkrahën gjykatat, gjyqtarët. Por ata nxitën pakënaqësinë duke promovuar programe që do të ndryshonin kulturën afgane dhe marrëdhëniet gjinore.

Të gjitha këto masa, ishin një pasqyrim i arrogancës së fuqive perëndimore, të cilat i konsideronin traditat afgane si një pengesë për t’u kapërcyer, kume sa duket, ato ishin limfa e kulturës politike të këtij vendi. Në fund, shumë pak afganë i besuan një qeverie qendrore, të cilët ata nuk e ndien kurrë pranë.

Ata vazhduan t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet e tyre përmes autoriteteve joformale dhe liderëve të komunitetit, duke iu drejtuar figurave lokale të cilave u besonin shumë. Kjo i hapi rrugën rikthimit progresiv të talebanëve.

Një nga gjërat e para që bëjnë grupet e armatosura si talebanët kur hyjnë në një territor të ri, është sigurimi i një zgjidhjeje“të shpejtë dhe të lehtë”për mosmarrëveshjet që ekzistojnë. Ata janë shpesh më të shpejtë sesa sistemi gjyqësor lokal.

Siç e theksojmë unë, Vanda Felbab-Braun dhe Harold Trinkunas në librin tonë të vitit 2017 mbi aftësitë qeverisëse të grupeve rebele, “afganët tregojnë një shkallë të lartë kënaqësie me vendimet e talebanëve, ndryshe nga ato të marra në sistemin gjyqësor zyrtar, ku shpesh ata që kërkojnë drejtësi, duhet të paguajnë ryshfete të mëdha”.

Kjo është një nga arsyet kryesore pse feja, dhe veçanërisht Islami, është shumë i rëndësishëm në këtë vend. Ai siguron një kuadër organizativ për një drejtësi të shpejtë,dhe ka më shumë gjasa të perceptohet si legjitim nga komunitetet lokale. Grupimet dhe qeveritë laike thjesht e kanë më të vështirë ta ofrojnë këtë lloj drejtësie.

Qeveria afgane nuk ishte domosdoshmërisht laike, por ajo kishte marrë dhjetëra miliarda dollarë ndihma nga qeveritë që sigurisht ishin të tilla. Një sistem jozyrtar i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, bazuar në ligjin e Sheriatit, do të kundërshtohej thuajse me siguri nga donatorët perëndimorë.

Por çfarë donin saktësisht të shihnin Shtetet e Bashkuara në Afganistanin e sotëm?Kur administrata Bush ndihmoi në formimin e qeverisë afgane post-talebane, ajo pretendoi se kishte pak interes në ndërtimin e shtetit afgan.

Kushtetuta e re krijoi një sistem të pa balancuar, që i dha presidentit “gati të njëjtat kompetenca me ato të ushtruara nga mbretërit e Afganistanit”, siç e thekson Xhenifer Brik Murtazashvili,një nga studiueset më të njohura nga Afganistani.

Sistemet e forta presidenciale në dukje janë tërheqëse,pasi ofrojnë perspektivën e një veprimi vendimtar. Por përqendrimi i pushtetit, i armiqëson në mënyrë të pashmangshme aktorët e tjerë, veçanërisht në nivelin lokal dhe rajonal. Parlamenti afgan vuajti që në fillim nga një deficit legjitimiteti. Afganistani përdori një sistem elektoral të ashtuquajtur jo i transferueshëm (SNTV), një ndër më të rrallët në botë.

Ai i cakton votat në një mënyrë të tillë që e pengon lindjen dhe zhvillimin e partive politike. Nëse ka një gjë që i duhet Afganistanit, ato janë partitë politike – dhe një parlament – që mund të kompensojë kompetencat e forta të presidentit.

Rreziqet e një sistemi presidencial shtohen jo pak në shoqëritë e ndara, dhe Afganistani është i ndarë sipas linjave etnike, fetare, fisnore, gjuhësore dhe ideologjike në pothuajse çdo mënyrë të mundshme. Së fundmi, sistemi funksionon vetëm nëse presidenti është kompetent.

Presidenti që tashmë ndodhet në mërgim, Ashraf Ghani, ishte në teori i gjithëpushtetshëm, por në praktikë rezultoi tërësisht i paaftë. Mungesa e efikasitetit të tij, infektoi të gjithë sistemin politik afgan.

Përveç krijimit të institucioneve të reja politike, Shtetet e Bashkuara besonin se mund ta transformonte kulturën e vendit. Shumica e politikanëve amerikanë, organizatave joqeveritare dhe donatorëve mendonin se gjërat që funksionojnë në demokracitë e përparuara, mund të funksionojnë edhe në demokracitë e reja dhe të brishta.

Gati 1 miliard dollarë janë shpenzuar deri më sot për promovimin e barazisë gjinore. Politika e USAID-it mbi barazinë gjinore, ishte mjaft ambicioze, për të “punuar me burra dhe djem, gra dhe vajza për të arritur ndryshimin e sjelljes”. Ky është një qëllim fisnik, por qasja amerikane ka qenë e ashpër dhe ndonjëherë kundër-produktive.

Marrë me shkurtime nga The Atlantic – Bota.al

x