Atlantida jetëshkurtër e Mesdheut

14.07.2021 18:06

Atlantida jetëshkurtër e Mesdheut

Nga Alessia Franco & David Robson

“BBC Future”

Ishin një grup peshkatarësh ata që e vunë re të parët se diçka e çuditshme po ziente në fund të Detit Mesdhe. Para vitit 1831, ujërat në brigjet jugperëndimore të ishullit të Siçilisë kishin qenë më të njohurat për koralet e tyre, që vlerësohen edhe sot nga argjendarët.

Por në korrik të atij viti, peshkatarët siçilianë kishin filluar të vinin re peshq të ngordhur që po dilnin në sipërfaqen e detit. Peshqit ishin të ngrënshëm, por mbanin erë të keqe squfuri. Mesa duket avujt ishin aq të fortë sa që disa nga peshkatarët humbën ndjenjat.

Shkaku i ngordhjes së peshqve u bë i qartë disa ditë më vonë, natën e 10 korrikut, kur marinarët vunë re se mbi dallgë ishte shfaqur “goja” e një vullkani, që po shpërndante tym, hi dhe llavë. Ai u zmadhua dhe deri në muajin gusht ishte formuar një ishull i tërë.

Ishulli ishte pak më shumë se sa një shkëmb -me një diametër 800 metra dhe me një lartësi 60metra mbi nivelin e detit. Shumë njerëz mendonin se po shihnin lindjen e një kontinenti krejtësisht të ri. Por meqë ndodhej në zemër të rrugëve evropiane të transportit, ishulli shkaktoi shumë shpejt një mosmarrëveshje ndërkombëtare, pasi Franca dhe Britania e Madhe hynë në garë me siçilianët për pronësinë e ishullit.

Megjithatë debati ishte i kotë, pasi brenda 5 muajsh, ishulli u zhyt sërish nën sipërfaqen e detit, duke bërë që disa ta quanin “L’isola che non c’è” (Ishulli që nuk është më atje) ose “L’isola che se ne andò” (Ishull që u largua).

Ky muaj shënon 190 vjetorin e shfaqjes së ishullit. Sot vullkanologët kanë arritur të hartojnë fundin e detit rreth Ngushticës së Siçilisëduke na ofruar detaje të jashtëzakonshme, me imazhe mahnitëse të kësaj Atlantide jetëshkurtër. Puna e tyre mund të na ndihmojë të kuptojmë pse u shfaq dhe u zhduk ishulli, dhe nëse mund të shfaqet në të ardhmen një ishull i ri në vend të tij.

Historia e Siçilisë është e ndërthurur me aktivitetin e lartë sizmik të rajonit. Historianët kanë zbuluar shkrime greke që i përkasin më shumë se 2.700 viteve më parë, dhe që flasin mbi shpërthimet vullkanike në malin Etna, që mbetet një nga më aktivët në botë.

Dy nga shpërthimet më të këqija të Etnës, në shekujt XII dhe XVII, mendohet se kanë shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur. Po ashtu, Siçilia është tronditur gjithashtu nga tërmete të rënda, përfshirë tërmetin e famshëm Val di Noto të vitit 1693 që vrau 60.000 njerëz dhe që e shkatërroi qytetin e Katanias, dhe tërmeti i vitit 1908 në Mesina që i mori jetën 82.000 njerëzve.

Duke mos pasur dot një kuptim modern të sizmologjisë, popullata siçiliane kishte krijuar një mitologji të pasur për t’i shpjeguar këto ngjarje tragjike. “Legjendat i ndihmojnë njerëzit të jetojnë me këtë frikë stërgjyshore dhe të justifikojnë ekzistencën e fenomeneve”-thotëshkrimtarja Marinela Fiume, libri i së cilës “Siçilia ezoterike” merret me folklorin dhe traditat e pasura të Siçilisë.

Sipas një legjende, dikur ka jetuar një peshkatar i ri, Kola, që ishte i famshëm për aftësinë e tij për të qëndruar nën ujë për periudha të gjata kohore, gjë që i dha atij nofkën “Peshku Kola”. Pasi dëgjoi mbi talentin e tij, mbreti e sfidoi peshkatarin të rimerrte disa objekte të shumta nga fundi i detit.

Gjatë njërës prej zhytjeve, peshkatari zbuloi se një nga kolonat, mbi të cilat supozohej se mbështetej ishulli, ishte dëmtuar nga zjarri i Malit Etna. Për të shpëtuar Siçilinë nga fundosja poshtë valëve, Kola u angazhua të zëvendësonte kolonën e thyer.

“Në versione të caktuara të legjendës, Peshku Kola ngrihet në sipërfaqe çdo 100 vjet për të parë sërish tokën, dhe janë këto lëvizje që provokojnë tërmete dhe dridhje të tokës”- thotë Fiume. Sot, ne e dimë që Siçilia dhe ujërat e saj ndodhen në kufirin midis pllakave tektonike Euroaziatike dhe Afrikane.

Lëvizja e pllakave mund të shkaktojë një tension të madh në koren e Tokës, e cila shkakton pastaj tërmetet por edhe shpërthime vullkanike. Malet Etna dhe Vezuv janë shembujt më të dukshëm, por shpërthimet mund të ndodhin edhe nën ujë.

Një seri konesh vullkanike nën ujë mund të gjenden rreth 40 deri 64 km larg bregut jugperëndimor të Siçilisë. “Ato janë shkaktuar secili nga një shpërthim i vetëm”-shpjegon Danilo Kavalaro i Observatorit të Etnës në Katania, që është pjesë e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali.

Shpërthimi i vitit 1831 ndodhi në një kohë të trazuar në historinë e Siçilisë. Italia nuk ekzistonte ende si një vend i unifikuar, dhe ishulli i Siçilisë ishte pjesë e një shteti që mbulonte jugun e gadishullit. Ai përfshinte Napolin, që historikisht njihej edhe si Siçili, duke e çuar në themelimin e Mbretërisë së Dy Siçilive, që drejtohej nga mbreti Ferdinand II, i ngjitur në fron në nëntor 1830.

Por mbreti i ri nuk u pranua nga të gjithë, dhe që në vitin 1831, disa njerëz po komplotonin kundër tij. Ndërkohë popullsia po përballej me kërcënimin e epidemisë së kolerës, sëmundje për të cilën nuk kishte ende një kurë.

Në këtë situatë, dalja e ishullit të ri në brigjet jugperëndimore të Siçilisë, u duk si diçka shqetësuese për qytetarin e zakonshëm. “Të mos harrojmë se Kanali i Suezit nuk ishte ndërtuar ende. Dhe pozicioni i ishullit ishte veçanërisht i favorshëm për të kontrolluar kalimet tregtare përgjatë rrugës për në Lindjen e Mesme|”- thotë Nino Blando, historian në Universitetin e Palermos.

Në ujërat përreth ishullit qarkullonin anije pirate, të cilët lejoheshin të plaçkitnin anije tregtare nga vendet armike. Anglia, Franca dhe Mbretëria e Dy Siçilive kishin grupet e tyre tëpiratëve, të cilët ishin kryesisht të përfshirë në një “luftë detare” kundër Perandorisë Osmane.

Rripi i tokës i sapo–shfaqur në brigjet e Siçilisë, mund t’i ndihmonte të merrnin kontrollin e ujërave. Ndaj nuk është çudi që secili vend u përpoq ta pretendonte për vete ishullin e ri.

Për fatin e keq të siçilianëve, marinarët anglezë pretenduan se ata ishin të parët që shkelën në ishullin e sapoformuar.

Ata pretenduan se ishulli ishte një “terra nullius” – falas për këdo që e zinte – dhe vendosën flamurin e tyre. Ata e quajtën ishullin Graham, për të nderuar admiralin britanik Sër Xhejms Graham. As Franca nuk donte të humbte rastin. Ajo dërgoi topografë për të hartuar terrenin, dhe vendosi flamurin e saj në pikën më të lartë të ishullit.

Francezët i vunë emrin Julia, sipas muajit të lindjes së ishullit. Mosmarrëveshja vazhdoi për 5 muaj, por ishulli dikur 61 metra i lartë nisi të fundosej. “Në fund të shtatorit, ishte rreth 18 metra e lartë. Një muaj më vonë, vetëm disa metra. Dhe në fund, midis dhjetorit 1831 dhe janarit 1832, ai u zhduk plotësisht”- thotë Kavalaro.

Ekipi i Kavalaroska hartuar kohët e fundit fushën vullkanike në shtratin e detit. Sot, maja e ishullit ndodhet rreth 9 metra nën nivelin e detit. “Është si një kon i prerë thuajse i përsosur me shpate shumë të pjerrëta”- thotë Kavalaro. / bota.al

x