Demokracia liberale është diçka për të cilën ia vlen të luftohet

29.08.2021 18:54

Demokracia liberale është diçka për të cilën ia vlen të luftohet

Nga Anne Applebaum

“The Alantic”

Nga të gjitha deklaratat boshe e të pakuptimta që përsëriten periodikisht nga politikanët perëndimorë, asnjëra nuk është më e zbrazët dhe e kotë se sa kjo: “Nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake për këtë konflikt”. Po kështu u shpreh në vitin 2013 Ban Ki-Moon, asokohe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: “Nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Siri!”.

Edhe John Kerry, Sekretar i Shtetit i SHBA-së, i bëri jehonë të njëjtave fjalë  “Nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Siri!”. Kjo në shumë raste, në vitin 2013 por edhe në2015-ën. Zalmay Khalilzad, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, u shpreh më 3 gusht:“Ne besojmë se nuk ka një zgjidhje ushtarake për krizën në Afganistan. Në fund të fundit, që Afganistani të ketë paqe dhe stabilitet, duhet të ketë një zgjidhje politike të negociuar”.

Edhe kryeministri britanik Boris Johnson e përsëriti këtë qasje në muajin korrik:“Nuk ka asnjë alternativë ushtarake për të shmangur fitoren e talebanëve!”.Kjo frazë tingëllon bukur, por ajo nuk është e vërtetë. Në shumë konflikte, qoftë në Siri dhe sigurisht në Afganistan, ka një zgjidhje ushtarake:Lufta përfundon, për shkak se fiton njëra palë.

Njëra palë ka armë më të mira, moral më të fortë, më shumë mbështetje nga jashtë. Njëra palë ka gjeneralë më të mirë, ushtarë më të mirë, më shumë qëndrueshmëri. Ose ndodh ndonjëherë, që njëra palë është më e gatshme të përdorë dhunën, mizorinë dhe terrorin, dhe është më e përgatitur të vdesë në mënyrë që të shkaktojë dhunë, mizori dhe terror ndaj njerëzve të tjerë.

Negociatorët e paqes, ekspertët në parandalimin e konflikteve, zyrtarët e OKB -së, zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe diplomatët e shumtë amerikanë dhe ndërkombëtarë, nuk duan ta besojnë se kjo është e vërtetë, për shkak se nuk pasqyron vlerat e botës në të cilën ata banojnë.

Ata nuk njohin asnjë nga luftëtarët talebanë, militantët e Hezbollahut, apo mercenarët rusë, dhe nuk mund ta imagjinojnë se si duket bota nga pikëpamja e këtyre të fundit. Por përkundër imazhit popullor, ekstremistët e dhunshëm mund të jenë mjaft racionalë.

Ata mund të llogarisin saktësisht se çfarë duhet të bëjnë për të fituar një betejë apo një luftë, dhe kjo është pikërisht ajo që sapo kanë bërë talebanët në Afganistan.

Ka pasur një zgjidhje ushtarake për këtë konflikt, dhe grupimi ka pritur një kohë të gjatë për ta arritur atë. Tani ai do ta shndërrojë ekstremizmin e dhunshëm të lëvizjes së tij në një gjendje të dhunshme, autokratike, tiranike.

Nevoja për të parandaluar ndodhjen e kësaj ngjarjeje në vende të tjera- pra për të parandaluar ekstremistët e dhunshëm që të pushtojnë vendet ku njerëzit do të preferonin të jetonin në paqe dhe në përputhje me sundimin e ligjit – është pikërisht arsyeja pse ne kemi ushtri, armë, shërbime sekrete dhe agjentë të llojeve të ndryshme, pavarësisht nga të gjitha gabimet dhe gjërat e shëmtuara që bëjnë ndonjëherë këta të fundit.

Nevoja për të parandaluar ekstremistët e dhunshëm të krijojnë struktura si Al-Kaeda, apo regjime autokratike të armatosura me armë bërthamore, është pikërisht arsyeja pse amerikano-veriorët dhe evropianët përfshihen në konflikte të largëta dhe të vështira.

Është kjo arsye pse SHBA-ja ka baza ushtarake në Gjermani, Korenë e Jugut dhe Kuvajt, ndër shumë vende të tjera. Kjo është arsyeja edhe pse holandezët u bindën qëtë ndërtonin një bazë të tyren në Afganistan, të cilën e vizitova në vitin 2008.

Kjo është edhe arsyeja pse ekziston fenomeni i internacionalizmit liberal – ose “internacionalizmit neokonservator” nëse nuk ju pëlqen -pasi ndonjëherë vetëm armët mund t’i parandalojnë ekstremistët e dhunshëm qëtë marrin pushtetin diku. E megjithatë, shumë njerëz në botën liberale demokratike, ndoshta shumica, nuk duan që ta besojnë këtë.

Ata i kanë cilësuar prej kohësh këto mjete ose si shumë të pakëndshme ose shumë të kushtueshme. Ashtu si Ban Ki-Moon, ata pretendojnë ndonjëherë se këto mjete nuk janë aspak të nevojshme, sepse konfliktet mund të zgjidhen me “bisedime”, “dialog” dhe “shkëmbime kulturore”.

Po ashtu ata pretendojnë se ka gjithnjë zgjidhje paqësore që nuk është marrë më herët parasysh, se ekziston gjithmonë një përgjigje jo e dhunshme e cila deri më tani është shpërfillur,dhe se “solidariteti” me gratë e Afganistanit, pa një prani fizike për ta mbështetur atë, është një ide kuptimplotë.

Shumë prej tyre do të argumentojnë në ditët në vijim, se Afganistani nuk ishte në fakt një humbje e Amerikës apo e Perëndimit. Dhe në njëfarë kuptimi ata kanë të drejtë. SHBA-ja nuk u dorëzua; ajo e humbi durimin dhe vendosi të largohej.

Ish -sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ish-presidenti Donald Trump nënshkruan një marrëveshje, ku njoftuan tërheqjen e trupave, dhe më pas nisën t’i tërheqin ato. Presidenti Joe Biden thjesht e përfundoi atë detyrë. Por imazhet nga Kabuli tregojnë një histori tjetër, atë që nuk ka të bëjë vetëm me vendimet e marra nga Biden apo Trump, dhe as me politikën amerikane.

Historia është pak e shumë kjo: Një organizatë teokratike, mizogjiniste, militariste po shkatërron me shpejtësi çdo element të shoqërisë liberale, që arriti të hedhë rrënjë në Afganistan gjatë 2 dekadave të “imperializmit neokonservator”.

Brenda disa orësh nga fitorja e talebanëve, grave iu bë thirrje të mos shkelnin më në Universitetin e Heratit, forcat talebane qëlluan mbi protestuesit paqësorë, dhe ata që punuan deri tani me amerikanët apo evropianët. Në rrugët e Kabulit, burrat filluan që të fshijnë posterat që tregonin fytyrat e grave, të cilat tani do të fshihen nën hixhab.

Ngjarjet në Afganistan, janë pjesë e një historie shumë më të madhe. Rrallëherë konkurrenca midis shoqërive “të hapura” dhe “të mbyllura”, midis demokracisë dhe diktaturës, midis lirisë dhe autokracisë është aq e qartë. Dhe rrallëherë fitorja e kësaj të fundit mbi të parën, ka qenë kaq e shpejtë apo kaq e plotë.

Hugo Chavez apo Vladimir Putinit, iu deshën vite që t’i impononin një kontroll shtypës kombit të tyre. Talibanët mund ta bëjnë këtë brenda ditëve ose javëve. Për këtë arsye, rënia e Kabulit do t’i nxisë disa aleatë të SHBA-së të pyesin nëse është e sigurt shoqëria e tyre liberale.

Ata e kuptojnë arsyen pse amerikanët ishin të lodhur nga Afganistani. Ndoshta është e vërtetë që ky vend ishte shumë i largët, shumë i huaj, për të justifikuar një prani të vazhdueshme, siç e ka theksuar edhe vetë Biden. Por cilat vende janë mjaftueshëm afër, apo shumë të ngjashme në kulturën, për të qenë të sigurt në mbështetjen afatgjatë të Amerikës?

Tani për tani ato nuk janë ende në luftë. Nëse ushtria amerikane do të tërhiqte papritur mbështetjen dhe logjistikën ajrore nga Evropa, apo nga gadishulli i Koresë së Jugut, atëherë shumë vende mund të gjenden papritmas para rrezikut të një agresioni ushtarak.

Gjermania nuk do të jetë në gjendje të mbrojë veten më shumë se një ditë. As Polonia, Estonia apo Japonia. Natyrisht një pikëpyetje e madhe qëndron mbi Tajvanin. Rënia e Kabulit duhet t’i ri-fokusojë amerikanët – në administratë, Kongres, udhëheqjen e të dyja partive, por mbi të gjitha, tek amerikanët e zakonshëm në të gjithë vendin – mbi zgjedhjet e vështira që janë përpara.

Afganistani na ofron kujtesën e dobishme se ndërsa ne dhe aleatët tanë evropianë mund të jemi të lodhur nga “luftërat e përhershme”, talebanët nuk janë lodhur aspak nga luftërat. Edhe pakistanezët që i ndihmuan, nuk janë të lodhur nga luftërat. As regjimet ruse, kineze dhe iraniane që shpresojnë të përfitojnë nga ndryshimi i pushtetit në Afganistan; as Al-Kaeda dhe grupet e tjera që mund ta bëjnë sërish Afganistanin shtëpinë e tyre në të ardhmen.

Ne mund të preferojmë një botë tjetër, një botë ku të kemi mundësi të qëndrojmë jashtë konflikteve të tilla.

Por kjo nuk është bota në të cilën jetojmë. Në botën reale, beteja për të mbrojtur demokracinë liberale ndonjëherë është një betejë e vërtetë, një betejë ushtarake, dhe jo thjesht ideologjike.

Ajo nuk mund të luftohet gjithmonë me fjalë, argumente, konferenca, diplomaci, apo duke dërguar diku organizata të të drejtave të njeriut, përmes deklaratave të OKB-së apo BE-së. Ju mund të përpiqeni të luftoni edhe në këtë lloj mënyre, por do të humbisni.

Shënim: Anne Applebaum, anëtare në Institutin SNF Agora në Universitetin Xhon Hopkins, dhe autore e librit “Muzgu i Demokracisë: Joshja e fortë nga autoritarizmi”.

x