Gaza: Morali dhe realiteti

30.05.2021 13:45

Gaza: Morali dhe realiteti

Nga Xhorxh Friedman

“Geopolitical Futures”

Do të ishte e gabuar që luftimet e fundit disaditore midis izraelitëve dhe palestinezëve, të cilësoheshin një luftë tjetër. Luftë ka pasur edhe përpara se Izraeli të ishte zyrtarisht një shtet, dhe ka vazhduar edhe pasi pjesa tjetër e botës arabe e humbi interesin mbi këtë konflikt.

Secila palë e mendon veten si viktimë. Pozicioni i palestinezëve është i thjeshtë. Kjo është toka që zotërohej prej tyre kur kolonët e huaj ua morën dhe krijuan një qeveri që i margjinalizoi ata. Pozicioni i Izraelit është se pas Holokaustit, ata nuk kishin asnjë vend tjetër ku të shkonin dhe që t’i garantonte se nuk do të kishte një Holokaust tjetër, ndaj ata u kthyen në atdheun e tyre antik.

Me kalimin e kohës, ky debat moral është bërë më kompleks dhe më i ashpër. Palestinezët argumentojnë se nuk kanë pse të paguajnë koston e një gjenocidi të ndodhur në Evropë. Ndërkohë,Izraelitët pretendojnë se nuk ka pasur kurrë një shtet palestinez, dhe ky rajon ka qenë kryesisht një provincë e fuqive të tjera.

Argumentet e tyre nuk janë të destinuara për njëri-tjetrin, por për pjesën tjetër të botës. Kur u themelua si shtet, Izraelit kishte nevojë që kombet e tjera ta pranonin argumentin e tij moral, në mënyrë që të mund të ekzistonte. Tani janë palestinezët ata që kërkojnë mbështetje nga jashtë.

Të dyja palët patën simpatinë e një bote që në fakt nuk merakosej aspak për fatin e tyre, por që i përdorte pretendimet e tyre për arsye cinike politike ose gjeopolitike. Është e lehtë të dënosh njërën palë apo tjetrën, kur nuk ndan fatin e asnjërës prej tyre.

Nëse lufta izraelito-palestineze është një çështje morale, dhe çështjet morale konsiderohen si një veprim përcaktues, atëherë duket se do të ketë edhe shumë luftime të tjera në të ardhmen. Qëndrimet morale të cilat nuk përfshijnë marrjen përsipër të rrezikut, janë zhurmat e përjetshme dhe të parëndësishme të gjeopolitikës.

Çështja gjeopolitike është e thjeshtë. Izraeli u themelua në tokën ku jetonin palestinezët. Izraeli e kishte të domosdoshme gjetjen e një territori nga ku mund të mbrohej si popull. Palestinezët nuk dëshironin që të zhvendoseshin, dhe as të humbnin të drejtën e vetëvendosjes në një botë që i kishte përqafuar ata.

Frika nga i huaji kudo është e zakonshme. Moralistët që kërkojnë braktisjen e frikës mund të ndjehen më mirë me veten e tyre, por nuk bëjnë asgjë për ta zvogëluar këtë ndjenjë. Frika dhe urrejtja ndaj palestinezëve dhe izraelitëve nga tjetri është reale.

Izraeli e pushtoi Palestinën pasi kishte pak mundësi të tjera në dispozicion,por dhe sepse mund ta bënte këtë. Palestinezët rezistuan. Është e vështirë të mendosh për një komb bashkëkohor që nuk u krijua duke pushtuar të gjithë apo një pjesë të një entiteti tjetër.

Migrimi i hebrenjve drejt Palestinës, filloi më shumë se një shekull më parë, dhe shteti u krijua më shumë se 70 vjet më parë. A është e drejtë të kërkohet toka e të parëve një shekull apo një mijëvjeçar më pas?

Lënë mënjanë sloganet moraliste, pyetja është pse hebrenjtë janë ushtarakisht superiorë, duke qenë se në shekujt e fundit ata nuk kishin qenë një popull, dhe aq më pak ushtarak. Përgjigja është Lufta e Ftohtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Perandoria Britanike po shpërbëhej, kështu që u detyrua të hiqte dorë nga zotërimet e saj në Palestinë.

Shteti i porsakrijuar i Izraelit mundi të mposhtte shtetet arabe që e sulmuan atë, pasi  britanikët e lanë të paorganizuar dhe të armatosur dobët. Pas themelimit të Izraelit, sovjetikët, të etur për ta zëvendësuar Perandorinë Britanike, i dhanë ndihmë ushtarake Izraelit, partia kryesore e të cilit ishte një parti e majtë në kërkim të një aleati.

Ajo nuk arriti ta siguronte një të tillë, dhe kur shpërtheu Kriza e Suezit në vitin 1956, britanikët dhe francezët inkurajuan një sulm izraelit mbi Sinai. Pas kësaj, Franca ishte mbështetësja më e madh e Izraelit deri në vitin 1967, kur SHBA-ja e pranoi që Izraeli mund të ishte një aset i madh kundër një Bashkimi Sovjetik që po shihej si dominues në Egjipt, Siri dhe Irak.

Shtetet e Bashkuara e panë Izraelin si një kundërpeshë në rajon. Gjatë luftës së vitit 1973 kundër aleatëve sovjetikë, Egjiptit dhe Sirisë, Izreli mori akoma më shumë ndihma nga SHBA-ja. Pra,Izraeli ishte një aset për fuqitë perëndimore që kishin qëllime të tjera.

Organizatat politike palestineze ishin entitete egjiptiane. Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Jaser Arafat, ruajti një marrëdhënie të ngushtë me sovjetikët. Kjo organizatë u lidh me grupet radikale evropiane, që kryen sulme terroriste në Evropë kundër institucioneve hebraike dhe evropiane.

Në vitet 1970-1980, ai ishte grupi dominues arab që në bashkëpunim me shërbimin sekret sovjetik, kryente më shumë akte terroriste, në vend se të përgatitej për një luftë territoriale.

Kur nisi të shembet Bashkimi Sovjetik, Izraeli ishte shndërruar në një forcë ushtarake shumë të aftë, pikërisht falë partneritetit të tij me SHBA-në.

Egjiptianët dhe sovjetikët i panë palestinezët si një mjet në destabilizimin e armiqve të tyre, por nuk arritën të ndërtonin një ushtri moderne për ta sfiduar Izraelin. Dobësia e palestinezëve, është se asnjë fuqi e madhe nuk i pa ata si një forcë ushtarake konvencionale, dhe sidomos pasi vendet arabe nuk dëshironin një forcë kaq të madhe ushtarake në vendet e tyre.

Në këto kushte, ata u detyruan të bëheshin pjesë e kampeve stërvitore për rrëmbime dhe bombardime, por jo për luftë konvencionale. Ajo që shihni sot në Gaza, është një ushtri moderne konvencionale që përballet me “ushtarë” të frymëzuar nga një kulturë krejt tjetër.

Ndihma që merr sot Palestina nga Irani, nuk e ndryshon thelbësisht këtë realitet. Palestinezët nuk mund të fitojnë dot, por ata mund t’i shkaktojnë dëme Izraelit. Mjerisht, edhe ky është një shpjegim i pamjaftueshëm i dobësisë palestineze dhe fuqisë izraelite.

Pasi ka edhe shkaqe kulturore, ndikon edhe pikëpamja e shteteve arabe mbi palestinezët etj. Por kultura ushtarake e Izraelit ishte e dobët në vitin 1948. Ajo evoluoi me shpejtësi për shkak të ndikimit sovjetik në vendet Arabe dhe interesave të Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara për t’i rezistuar këtij ndikimi.

Palestinezët shihen nga shumë njerëz si viktima. Ky nuk është një term i dobishëm. Por nëse e përdorim atë, atëherë ata janë viktima jo vetëm të Izraelit por edhe të Egjiptit, Sirisë dhe sovjetikëve, pasi të gjithë ata i përdorën palestinezët si grupe të vogla operativësh, por nuk kishin dëshirë të krijonin një ushtri moderne palestineze në një vend fqinj.

Për më tepër, nuk kishte asnjë vend fqinj që do të mirëpriste një ushtri të tillë. Një intifada me disa kamikazë nuk do ta gjunjëzojë dot Izraelin, dhe as nuk do ta detyrojë atë të ulet në tryezën e negociatave. Dhe palestinezët nuk kanë asnjë aleat që do t’i ndihmojë ata të bëhen një fuqi e tillë. Ndjenja morale ka shumë probleme. Njëri prej tyre është realiteti i pushtetit.

x