Ka ende një rrugëdalje nga kriza klimatike

08.11.2021 19:31

Ka ende një rrugëdalje nga kriza klimatike

Nga Kyriakos Mitsotakis

Koha po mbaron për të gjithë ne. Dhe grekët po e dëshmojnë këtë në vetën e parë. Verën e këtij viti vendi ynë u përcëllua nga zjarret. Ne të gjithë pamë efektet dramatike dhe shkatërruese të ngrohjes globale, me temperatura rekord dhe të qëndrueshme mbi 40 gradë Celcius për shumë ditë me radhë.

Ajo që pasoi ishte një katastrofë e paprecedentë mjedisore, me zjarret në pyje që zhdukën në pak ditë ekosisteme të çmuara.Ky nuk është ndryshim klimatik në veprim, por një krizë klimatike në veprim. Një kërcënim i paparë ndonjëherë më herët ndaj mënyrës tonë të jetesës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë.

Dhe për ta luftuar atë ne duhet të mendojmë shumë, të veprojmë me shpejtësi, dhe të udhëheqim përmes shembullit. Sepse vetëm nëse kemi guximin që të bashkëpunojmë – me ritëm, në shkallë të gjerë dhe duke filluar nga ky moment – duke i kapërcyer pengesat financiare, ne mund të shfrytëzojmë mundësinë për të dalë nga kjo krizë.

Greqia është një vend evropian me përmasa mesatare, një fuqi detare që zotëron 20 për qind të flotës globale të anijeve, dhe një nga qendrat kryesore të turizmit. Sigurisht, ne mund të rrimë duarkryq dhe të presim që të veprojnë ndotësit e mëdhenj.

Tek e fundit, emetimet tona të karbonit në atmosferë janë relativisht të vogla. Por ne nuk do të presim. Edhe vendet më të vogla si Greqia, mund të kenë një ndikim të madh në tranzicionin e gjelbër global në botë. Bashkë me 8 vendet e tjera anëtare të BE-së – Portugalinë, Spanjën, Francën, Italinë, Kroacinë, Qipron, Maltën dhe Slloveninë – Greqia miratoi së fundmi Deklaratën e Athinës, që fokusohet në zbutjen e klimës në të gjithë Mesdheun.

Ndërkohë ne kemi ngritur një Ministri të Krizave Klimatike, dhe po zbatojmë në të gjithë Greqinë programin klimatik 6+1. Bëhet fjalë për 6 nisma – mbi transportin detar, turizmin, burimet e rinovueshme, de-karbonizimin, ndërlidhjen e energjisë së gjelbër dhe ekosistemet – të mbështetura nga një ligj gjithëpërfshirës i klimës, që do të ratifikohet gjatë kësaj jave.

Megjithatë, tranzicioni i gjelbër është një transformim intensiv i kapitalit. Greqia ka arritur deri më tani qëtë mobilizojë fonde të konsiderueshme të BE-së për zbutjen e ndryshimeve klimatike. Por kjo nuk mjafton. Evropa ka nevojë për qasje më inovative për financimin dhe mbledhjen e fondeve, në një shkallë që të përputhet me përpjekjet tona kolektive.

Nëse pandemia na mësoi diçka, ajo është se kur nevoja është akute, ne mund ta financojmë kërkimin dhe inovacionin në shkallë të gjerë dhe me rezultate të jashtëzakonshme. Prandaj, ne duhet të punojmë që të mbështesim ndërtimin e një infrastrukture inteligjente, e cila të ndërveprojë përtej kufijve, dhe po ashtu të jetë transparente, e aksesueshme, dhe në përputhje me një fushë loje të barabartë kur është fjala për konkurrencën.

Idetë dhe vënia e tyre në jetë funksionon vetëm kur sektori privat, qeveritë dhe investitorët bashkëpunojnë midis tyre. Prandaj ne duhet të heqim barrierat për ta shpenzuar kapitalin në nivel ndërkombëtar, duke parashikuar dhe mbështetur pozitivisht tregjet e ardhshme dhe idetë që qëndrojnë pas teknologjisë së gjelbër dhe karburanteve alternative.

Kjo nënkupton investime në burimet e rinovueshme të energjisë, si projektet e parqeve eolike nënë det të hapur, apo edhe projektin e R&D,të institutit të ri kërkimor të BE-së për transportin e qëndrueshëm – ku ne po mbështesim idetë e reja në fushën e teknologjisë së gjelbër, për të reduktuar ndotjen e anijeve në të ardhmen.

Me ndihmën e Volkswagen dhe Citroen, ne po ndërtojmë në ishujt Astypalea dhe Halk resorte turistike të reja qëjanë100 për qind të gjelbra dhe me energji autonome. Nëse mund të punojmë së bashku duke ndërtuar revolucionin industrial të gjelbër të së ardhmes, ne mund t’i angazhojmë qytetarët dhe bizneset tona në përfitimet e tranzicionit energjitik.

Ka ardhur koha që ta pranojmë se ndalja e kësaj krize nuk është një barrë që rrit koston apo që kompromenton rritjen ekonomike. Është e kundërta:një revolucion i teknologjisë së gjelbër me fuqi të madhe gjeneruese të pasurisë dhe me një potencial të madh të rishpërndarjes së pasurisë.

Shënim: Kyriakos Mitsotakis, është kryeministër i Greqisë. / “Politico.eu” – Bota.al

x