Kanuni, “një botë e mbyllur”

20.11.2021 15:22

Kanuni, “një botë e mbyllur”

Kanuni është një monument kulturor historik i së drejtës tradicionale të shqiptarëve. Shqiptarët kanë trashëguar deri në shekullin e 20-të dy kanune: “kanunin e lekëve” – Kanunin e Lekë Dukagjinit, që kishte pushtet në viset mbi lumin Drin; “kanunin e gegëve” – Kanunin e Skënderbeut, që kishte pushtet në gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë veriore. Në viset jugore të Shqipërisë e drejta zakonore tradicionale ka mbërritur fragmentare. Modeli më i plotë i organizimit tradicional të jetës së shqiptarëve është Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Kanuni nuk kishte vlerë pa kuvendin, pa pleqtë e stërpleqtë, pa dheun që mblidhej për të ndarë të drejtën. “Canon et convente”, kanun e kuvend (marrëveshje), ky është thelbi i së drejtës zakonore shqiptare. Vetë fjala “kanun” është huazuar nga greqishtja “canon”, që do të thotë rregull, kufizim. Po ashtu edhe fjala “kuvend”, që do të thotë “parlament”, është huazuar nga një rrënjë neolatine “convente”, marrëveshje.

Tradita vendëse e zgjidhjes së problemeve të së drejtës është dëshmi lashtësie e qytetërimi. Vetëm një popull i ngulitur prej kohësh mund të arrinte të përpunonte në atë shkallë me të vërtetë të lartë elementët e vetëdisiplinës dhe të autopërgjegjësisë. Një popull që arrin të krijojë një kod të normuar bashkëjetese duhet të ketë zotëruar më parë një kulturë të ngulitur etnike. Një mënyrë bashkëjetese, e pranuar pa kushte nga të gjithë, do shekuj të tërë të rregullohet me norma të njësuara. Kanuni shpreh ekzistencën e një jete urbane qytetare dhe të një ndërgjegjeje bashkësie të hershme.

Kanuni i malësisë, që lidhet me emrin e Lekë Dukagjinit, por në shumë elementë mund të jetë edhe më i vjetër se kjo figurë e njohur e historisë, është një univers juridik i lashtë, nënshtresa të të cilit, për nga burimi, shkojnë deri në antikitet. Formulat e betimit nuk zënë në gojë hyjnitë me emër. Betimi “për qiell e dhe”, “për kët’ gur”, “për kët’ peshë”, “për kët’ bukë”, shpreh një besim mitologjik. Vetëm një gjë me të vërtetë shumë e vyer mund të kapërcente shekuj të tërë për të ardhur deri në ditët tona. Këto betime janë të njëjta me ato të grekëve të vjetër: Për Uranin (për qiellin), për Demetrën (për tokën) etj. Dhjata e re ia ndalon kategorikisht birit të njeriut të betohet për to. Kurse betimi për bukën të kujton kultin hebraik për “manna”-n, ushqimin e shenjtë hyjnor.

Ishte ky kanun jo vetëm e drejta e rregullimit të bashkëjetesës (convente), por edhe e drejtë familjeje, e drejtë civile, e drejtë pune e procedure, një ansambël i vërtetë drejtësie, ku përcaktoheshin në mënyrën më të sintetizuar raportet e njeriut me familjen, me fisin, me miqësinë, me flamurin e me atdheun.

Dihet se normat morale, rregullat e ndërtimit të jetesës së përbashkët, në popuj të ndryshëm, sipas përkatësisë së tyre fetare, janë identifikuar shpesh me përcaktimet e librave të shenjtë. Tek shqiptarët nuk vihet re një gjë e tillë. Kategori të tilla themelore të etikës popullore, si nderi, dinjiteti, respekti, mirësjellja, mikpritja etj. ndër shqiptarët janë përcaktuar nga “nomet e të parëve”.

1. BARAZIA DHE PABARAZIA NË KANUN


Me gjithë ashpërsinë e tij, Kanuni ka mundur t’i mbajë shqiptarët në kushte të një barazie të rreptë ndaj rregullit, “qoftë edhe i Gjomark”, që do të thotë, qoftë dhe i shtëpisë që kishte për detyrë mbikëqyrjen e Kanunit. Sipas Kanunit, “jeta e të mirit asht nji me jetën e të keqit”, dhe “gjaku shkon për gisht”, që do të thotë të njëjtën gjë.

Shkrimtari I. Kadare ka folur për hapësirën juridike tradicionale të popullit tonë, të ruajtur në Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke vënë në dukje një gjymtim të saj, përjashtimin e gruas nga çdo lloj veprimtarie që kishte të bënte me përcaktimin, ndarjen, dhënien apo fitimin e së drejtës, duke përfshirë edhe kuvendin në odën e miqve. Kanuni, del nga barazia edhe në një përcaktim tjetër: të pozitës së privilegjuar të klerit në kuvend. Kanuni sanksionon që “prifti nuk bjen më gjak e nuk çohet në be” (nyje 4, § 10). Edhe “me ndollë qi meshtari të çohet në be, a për me dlirë vendin a për porotnik (dëshmitar), ky vetëm do të njihet e do të zehet për 24 vetë” (po aty). Po kështu, sanksionohen edhe favoret e kishës si institucion. Ajo “nuk giobitet e s’ka peng më kend” (nyje 1, § 2), pra, qëndron mbi kanun. Kanuni i Lekë Dukagjinit, sikurse të gjithë kanunet, është produkt dhe pasqyrë e së drejtës feudale. Dy përjashtimet prej barazisë: përjashtimi i kishës prej detyrimit ndaj bashkësisë (krahinës, flamurit) dhe pozita jashtëkanunore e gruas, janë gjurmë të kohëve mesjetare. Të tjerët, “me qenë edhe i kullës së bajrakut”, i nënshtrohen njësoj të njëjtit rregull. (“Edhe pse pari a krye, pengun do ta lëshojë n’dorë të pleqve e t’vogjlis, po bani kush vaj me të”- nyje 141 § 1014). Paragrafë të tillë, si “çmimi i jetës së nierit asht nji” (nyje 124, 1 887); “secili mbahet rrumbull katërqind derhem në kandar (në okë) të vet” (§ 889); përmbajnë një barazi të ashpër të njerëzve.

Mund të pohohet pa druajtje se barazia e rreptë që ka sanksionuar e marrë në mbrojtje kanuni është një vlerë e kryehershme e tij, natyrisht paramesjetare.

Në anën tjetër, edhe privilegjet dhe pabarazitë e kanunit janë relative. Sepse në traditën shqiptare kanuni nuk mund të ndahej nga kuvendi. Çfarë e ndalonte njëri mund ta lejonte tjetri. Çfarë e lejonte njëri, mund ta pezullonte tjetri. Ndonëse kanuni e nënçmonte e nuk e lejonte gruan të rrinte në odën e burrave, shpesh kuvendi e ka pranuar atë, duke i vlerësuar mençurinë dhe zotësinë për të ndarë të drejtën.

x