Pas qëllimeve të mbrapshta

23.04.2021 19:24

Pas qëllimeve të mbrapshta

Këto ditë, portali slloven “Necenzurirano” (pa censurë), bëri të njohur një dokument për ndryshimin e kufijve në rajonin tonë, për të cilin shprehet se është kopje e tij. Në të bëhet fjalë për kufirin midis Kosovës dhe Serbisë dhe bashkimin e së parës dhe pjesëve të tjera që banohen nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi me Shqipërinë. Po kështu, shkëputja e Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina dhe bashkimi i saj me Serbinë, sikurse një pjesë e territorit boshnjak me Kroacinë, ose kjo pjesë kroate të ketë një “status të veçantë” sipas modelit të Tirolit të Jugut. Pjesa tjetër e Bosnjë-Hercegovinës, ku boshnjakët përbëjnë gjysmën e popullsisë të të gjithë vendit, sipas këtij plani, të jetë “një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur”.

Jehona e këtij dokumenti ka qenë e menjëhershme, në veçanti në vendet e rajonit tonë dhe ku për autorësi të tij njohin zyrtarët e strukturave të larta shtetërore të Sllovenisë e në veçanti Kryeministrin Janez Jansha.

Paraqitja e një dokumenti të tillë me burim slloven, sikurse duket, lidhet me faktin që në fund të këtij gjashtëmujori Sllovenia merr zyrtarisht Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Reagimet ndaj tij janë të ndryshme. Janez Jansha mohon përcjelljen e të ashtuquajturit dokument “non-paper” në Bruksel. “Non-paper” nënkupton një dokument joformal, formë të njohur komunikimi, për të bërë objekt diskutimi një problem të caktuar.

Presidenti slloven, Borut Pahor, nga ana tjetër përsërit qëndrimin e tij për mos ndryshim të kufijve në Ballkan. Ai është për integritetin e Bosnjë-Hercegovinës e të tjera. Mediat vendase sllovene e shohin këtë në një aspekt tjetër: si sulm të opozitës brenda vendit kundër Kryeministrit Jansha i cili nga ana e vet dhe më tej e vlerëson si orvatje për “dëmtimin e Sllovenisë në Bashkimin Evropian”. Edhe oresidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, hapjen e këtij problemi, ricaktimit të kufijve, e shikon si tepër të rrezikshme. Në veçanti, skenës politike në Bosnjë-Hercegovinë i është prishur dhe më tej qetësia, ndërkohë që Milorad Dodiku i Republikës Srpska beson në këtë mundësi, që republika serbe t’i bashkohet Serbisë me një shpërbërje paqësore të Bosnjë-Hercegovinës. Kryediplomatja boshnjake kritikon ashpër qëllimet e mbrapshta që hapin “Kutinë e Pandorës” dhe destabilizojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër, zyrtarët e Bashkimit Evropian i përmbahen qëndrimit se një dokument i tillë nuk posedohet nga ata, për të mbyllur çdolloj komenti.

Hapja e këtij problemi në këto momente mund të jetë dhe një matje pulsi nga ana e Sllovenisë për vetë vendet e rajonit tonë, por dhe për vetë Bashkimin Evropian. Pra, deri ku mund të shkojnë qëndrimet e tyre ndaj realizimit të prioriteteve që i ka vënë vetes Sllovenia si kryesuese e presidencës së Bashkimit Evropian lidhur me Ballkanin Perëndimor, integrimin evropian të vendeve të tij.

Përballë kësaj tabloje, Serbia shikon interesat e saj me këtë dokument, ku për ndryshimin dhe rregullimin e kufijve, Aleksandër Vuçiq bashkë me Hashim Thaçin u shprehën mbi dy vjet më parë për shkëmbimin e territoreve, gjë që çonte në copëtimin e Kosovës. Tashmë, dokumenti slloven u vjen në ndihmë qarqeve nacionaliste serbe dhe atyre kroate, por dhe më tutje, si Rusisë, aleatit  strategjik të Serbisë, si dhe faktorëve të tjerë që së bashku të zgjerojnë “civilizimin ortodoks”. Jo më kot, edhe këto ditë diplomacia ruse përsërit refrenin e njohur që Rusia të monopolizojë të drejtën e faktorit ndërmjetës në dialogun Serbi-Kosovë!

Së toku gjithashtu, sikurse vihet re, përmes këtyre qëllimeve të mbrapshta shpresohet dhe në një mundësi tjetër: të arrihet zbehja e faktorizimit të ShBA-së në Ballkan, parë vazhdimisht kjo si pengesë për plotësimin e ëndrrës së njohur të tyre. Për shqiptarët, krijimi në këtë mënyrë i “Shqipërisë së Madhe”, lakuar kjo vazhdimisht nga zyrtarët e lartë serbë, vetëm i dëmton ata të cilët nuk i kanë pasur asnjëherë pronësi të tyre projekte të tilla. Serbët, nga ana e vet, dhe më tej do të fërkojnë duart për realizimin e Serbisë së Madhe, duke përmbushur kështu dhe planin e njohur të Sllobodan Millosheviqit për ndryshimin e kufijve në rajonin tonë.

Projekte apo propozime si këto, vështirë ta mbyllin shumëzimin e vet. Ballkanin ato vetëm e rëndojnë. Prandaj, dhe kërkohet një qëndrim më afër dhe serioz i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit, për integrimin evropian të tyre. Kjo do t’i sprapste dhe do t’u mbyllte çdo shteg veprimit të mëtejshëm për precedentë të rrezikshëm, duke ndezur konfliktet, të cilat diku sikur flenë e rrinë përherë zgjuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor, siç tha pardje ministri për Çështje Evropiane të Gjermanisë, Michael Roth, kanë një të ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjioze… Vizatimi i kufijve të rinj është rrugë e rrezikshme. /Panorama/

x