Pse njerëzit refuzojnë vaksinimin, dhe si t’i nxisim të ndryshojnë mendje

02.01.2022 09:22

Pse njerëzit refuzojnë vaksinimin, dhe si t’i nxisim të ndryshojnë mendje

Nga Jenna Clark

“Foreign Policy”

Deri në fillim të dhjetorit, në mbarë botën ishin administruar rreth 8.5 miliardë doza të vaksinave kundër Covid-19. Kjo e shndërron fushatën aktuale të vaksinimit në operacionin më të madh të shëndetit publik në historinë e njerëzimit.

Megjithatë, suksesi i saj ka qenë i përzier. Vendeve më të varfra të botës, u është mohuar pjesa e tyre proporcionale e dozave të vaksinës, ndërsa në vendet më të pasura, problemi kryesor nuk është qasja tek vaksinat anti-Covid, por hezitimi për t’u vaksinuar, i përqendruar shpesh në rajone specifike.

Për shembull, në landin gjermano-lindor të Saksonisë vetëm 56 për qind e popullatës i ka marrë të dyja dozat e vaksinës, ndërsa ka aktualisht dhe një shkallë infeksionesh më shumë se 2 herë më të lartë sesa vendi në tërësi. Pjesa më e madhe e diskutimeve mbi ata që ngurrojnë të vaksinohen, është fokusuar mbi atë se sa e ndryshme është vaksina kundër Covid-19 nga vaksinat e tjera.

Për shembull, asnjë vaksinë tjetër nuk është zhvilluar aq shpejt. Por debati në fjalë, neglizhon rritjen meteorike të ndjenjës më të gjerë kundër vaksinimit në mbarë botën gjatë dekadave të fundit. Shembull më tipik është vaksina kundër fruthit.

Si një sëmundje shumë ngjitëse, fruthi kërkon një shkallë vaksinimi prej rreth 95 për qind për të arritur imunitetin e tufës,pra pikën në të cilën sëmundja nuk do të qarkullojë dot lirshëm nëpër popullatë. Në vitin 1978 , 1 vit para se të futej doza e parë e vaksinës së fruthit në Rumani, nga sëmundja prekeshin 540 në çdo 100.000 njerëz.

Në fillim të viteve 2000, vaksinimi e fëmijëve ndaj kësaj sëmundje arriti në 96 për qind, dhe rastet ranë në vetëm në 0.16 për 100.000 njerëz, një arritje kjo e jashtëzakonshme. Por më pas normat e vaksinimit kundër fruthit filluan që të bien. Deri në vitin 2017, ato ranë në 86 për qind të popullsisë për dozën e parë, dhe 75 për qind për të dytën.

Për pasojë Rumania u prek nga një epidemi e fruthit, bashkë me pjesën më të madhe të Evropës. Në vitin 2018, në mbarë kontinentin kishte 83.540 raste me fruth, krahasuar me vetëm 5.273 në vitin 2016. Në raste si ai i Rumanisë, pra kur një vend ka në fillim norma të larta vaksinimi që më pas bien, problemi nuk është qasja por hezitimi ndaj vaksinës.

Për shembull, edhe Italia përjetoi shpërthime epidemike të sëmundjes së fruthit në vitet 2017-2019, për shkak të një rënieje të ngjashme në nivelin e vaksinimit. Modelet demografike të rasteve të tilla, e vënë theksin tek roli që luan ngurrimi për t’u vaksinuar.

Kështu 78 për qind e rasteve në një shpërthim epidemik të fruthit në vitin 2013 në Nju Jork, ishin fëmijë të pa vaksinuar, për shkak të refuzimit të prindërve apo vonesës së qëllimshme.

Hezitimi ndaj vaksinave mund të duket si një sjellje e veçantë – disa studime sugjerojnë se vetëm 8 për qind e amerikanëve e identifikojnë veten si kundërshtarë të vaksinave – por ai është një problem i mirëpërcaktuar në shëndetin publik, dhe do të vazhdojë të ekzistojë.

Gati 1 vit përpara shfaqjes së parë të rasteve të para me Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë e identifikoi hezitimin ndaj vaksinave si një nga 10 kërcënimet kryesore për shëndetin global. Dhe ç’rrënjosja e kësaj dukurie nuk do të jetë e mundur, derisa të kuptojmë arsyet komplekse psikologjike dhe kulturore që gjenden në themelin e qëndrimeve kundër vaksinimit.

Le t’ia fillojmë me arsyet psikologjike. Sjellja njerëzore motivohet shumë nga shpërblimet. Në mënyrë specifike, nga shpërblime të menjëhershme dhe të prekshme, të cilat shkaktojnë reagime të fuqishme emocionale. Kur kënaqësitë e menjëhershme të një ushqimi të dëmshëm përballen me shpërblimet afatgjata të një diete të mirë, fiton rrallëherë ushqimi i shëndetshëm.

Kjo llogaritje nuk favorizon as vaksinimin. Një eksperiencë e suksesshme vaksinimi karakterizohet nga mos-sëmurja, një jo-ngjarje është e vështirë qoftë edhe të perceptohet, e lëre më pastaj të vlerësohet si shpërblim.

Për më tepër, vaksinimi si proces vuan nga një dukuri tjetër psikologjike:njerëzit e shohin dëmin e shkaktuar nga veprimi (siç janë efektet anësore të vaksinimit) si më të rëndë dhe kuptimplotë, sesa dëmi i shkaktuar nga mosveprimi (si për shembull kur sëmuren pasi nuk janë vaksinuar).

Ndoshta më e keqja nga të gjitha, është se vaksinat mund të bëhen shpeshherë viktima të suksesit të tyre. Kur rritet shkalla e vaksinimit, bie shkalla e sëmundjeve. Brezat që u rritën pa u ekspozuar ndaj sëmundjeve të tilla si fruthi, kanë pak arsye të frikësohen nga pasojat e tyre.

Normat e vaksinimin, bien edhe kur keqinformimi mbi rreziqet e vaksinës, bashkohet me injorancën mbi rreziqet e sëmundjes. Dhe kjo deri në epideminë apo pandeminë e radhës. Në vitin 2018, shkalla e vaksinimit kundër fruthit në Rumani u rrit në 81 për qind për 2 dozat e plota, një shembull që vërehet shpesh kur bëhen të dukshme pasojat e të qenit të pa vaksinuar.

Por qëndrimet kundër vaksinimit, nuk kanë të bëjnë vetëm me atë që ndodh brenda kokës sonë. Ato kanë të bëjnë me një ndërveprim të vazhdueshëm me mjedisin tonë social dhe kulturor. Motivimet për të vaksinuar janë shumë specifike nga ana kulturore.

Shumë besime dhe bindje anti-shkencës, mund të kuptohen më së miri si produkt i qasjeve me origjinë të caktuara, apo i motivimeve psikologjike që i pengojnë njerëzit të ndryshojnë mendje edhe kur kanë përballë provat për të kundërtën. Në fakt, individëve që janë më të përkushtuar ndaj besimeve kundër vaksinimit, korrigjimi i miteve rreth vaksinimit, vetëm sa u shton mosbesimin.

Ndaj që të kapërcejmë hezitimin ndaj vaksinave, ne duhet të zbulojmë origjinën e këtij kundërshtimi, dhe të përcaktojmë se çfarë do të thotë akti i vaksinimit për njerëzit. Për shembull në SHBA, bindjet kundër vaksinimit, janë shpesh një funksion i ideve konspirative apo i përkatësisë politike republikane.

Teoritë e konspiracionit, i bëjnë thirrje besimtarëve të tyre për shumë arsye. Më së pari, ato mund t’i ndihmojnë njerëzit të ndihen inteligjentë se po demaskojnë gënjeshtrat e shoqërisë ku jetojnë. Ekipi ynë i studiuesve në qendrën kërkimore të Universitetit Djuk, po shqyrton  gjetjen e zgjidhjeve të reja për të rritur normën e vaksinimit.

Në vitin 2019, ne përfshimë në studimin tonë 1.087 gra shtatzëna në Shtetet e Bashkuara.

Ne u kërkuam të na tregojnë mbi periudhën kur ato ndiheshin inteligjente, kur ndiheshin si prindër të mirë, dhe një tjetër kur ndiheshin si prindër të këqij.

Më pas i lexuam një pasazh bindës në favor të vaksinimit ndaj fruthit. Në fund, i pyetëm mbi synimet e tyre për të vaksinuar fëmijën e tyre të ardhshëm. Përgjigjet që morëm ndaj pyetjes së parë ishin kryesisht momente të vogla, të shprehura në një ose dy fjali.

Gratë na treguan mbi përshtatjen e shpejtë me punët e tyre të reja, suksesin në testet e matematikës, zgjidhjen e problemeve për njerëzit e tyre të dashur, fitimin e debateve me kolegët, inovacionin në punë apo përshtypjet e mira tek eprori në punë.

Pavarësisht shkurtësisë së përgjigjeve, ata që kishin folur mbi ndjenjën e zgjuarsisë, kishin shumë më shumë gjasa të pranonin se do të vaksinonin fëmijën e tyre. Pse? Ato e cilësuan si më bindës pasazhin pro-vaksinimit, sesa ata që kishin shkruar për ndonjë gjë tjetër.

Pasi plotësohej nevoja e tyre psikologjike, për t’u ndjerë inteligjente përmes një burimi tjetër, ata mund të pranonin shkencën, dhe ta konsideronin si një opsion vaksinimin. Në një studim të fundit në pranverën e këtij viti, ne studiuam efektet e mesazheve të ndryshme pro-vaksinimit duke anketuar një kampion përfaqësues prej 1.748 personash nga shtetet juglindore të SHBA-së.

Ne u treguam pjesëmarrësve tanë 1 nga 6 strategjitë e ndryshme të fushatës promovuese, duke nisur nga inkuadrimi i vaksinës si pjesë e rikthimit në jetën normale, deri tek shpjegimi i procesit të testimit të vaksinave nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Më pas i pyetëm për qëndrimin e tyre ndaj vaksinës kundër Covid-19. Vumë re se vetëm 2 nga qasjet tona funksionuan për të rritur qëllimin e vaksinimit. Mesazhi i parë i suksesshëm u fokusua në luftimin e paragjykimeve ndaj të pa vaksinuarve, duke theksuar se rreziqet e mos-vaksinimit, janë shumë më të mëdha nga rreziqet e vaksinimit.

Mesazhi i dytë i suksesshëm, ishte pak më i pazakontë. Ne e përshkruam vaksinimin një akt patriotik, si një mënyrë që njerëzit ta ndihmonin vendin të përballet si duhet me sfidën e Covid-19. Kjo u dha mundësinë atyre të anashkalonin tensionin e sikletshëm midis bindjeve republikane dhe sjelljes ndaj vaksinimit.

Ekspertët e shkencave sociale në të gjithë globin, duhet të punojnë bashkë për të identifikuar rrënjët që qëndrojnë në themel të hezitimit të vaksinave, dhe të kuptojnë se si këta faktorë ndryshojnë midis komuniteteve në nivel kombëtar dhe lokal.

x