Vaksinat përkundrejt varianteve të reja të Covid-19: A do ta arrijë ndonjëherë bota imunitetin e tufës?

27.05.2021 16:46

Vaksinat përkundrejt varianteve të reja të Covid-19: A do ta arrijë ndonjëherë bota imunitetin e tufës?

Në shtetin e Ohajos në SHBA, të gjithë ata që marrin vaksinën anti–Covid, mund të fitojë një nga 5 çmimet e lotarisë prej 1 milionë dollarësh. Ndërkohë,banorëve të shtetit të Nju Xhersitpo u ofrohen birra falas. Një qendër vaksinimi në Nju York mburrej me vënien në dispozicion edhe të një stimuli më të pazakontë:një sasie marijuane për përdorim personal.

Që nga fillimi i këtij viti Amerika e ka zgjeruar me sukses fushatën e saj të vaksinimit, dhe deri tani më shumë se 160 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinave anti–Covid, duke përmbushur para kohe zotimin që kishte vendosur presidenti Joe Biden për në 4 Korrik.

Por nëse përfshihen fëmijë, kjo është akoma më pak se gjysma e popullsisë, dhe në disa pjesë të vendit marrja e vaksinave ka filluar të ngadalësohet. Si rezultat, shtetet dhe bizneset po kthehen në stimuj jo–ortodoksë duke u përpjekur t`i bindin personat që hezitojnë që ta marrin vaksinën.

Britania e Madhe, një nga vendet e tjera me një program relativisht të përparuar të vaksinimit, po përballet me disa probleme të ngjashme. Edhe pse hezitimi ka rënë, shpërndarja e vaksinave është e pabarabartë:shumica e 23 personave në një spital në Bolton në AnglinëVeri-perëndimore , ku po përhapet varianti indian i Covid-19 shumë më i transmetueshëm se origjinali, kishin të drejtë të vaksinoheshin. Në fakt vetëm 5 prej tyre ishin vaksinuar.

Kur në fund të vitit të kaluar u raportua se vaksinat e koronavirusit mund të ishin më shumë se 90 për qind efektive, u duk se kjo mund të çonte në zhdukjen e sëmundjes. Por gjatë 2 muajve të fundit, këto shpresa të guximshme i kanë lënë vendin një realiteti më të komplikuar.

Shfaqja e varianteve të reja, dhe hezitimi i vazhdueshëm mbi vaksinat, po u shkaktojnë qeverive jo pak probleme për planet e tyre për të rihapur ekonomitë, dhe për të rikthyer një lloj normaliteti. Shkencëtarët që ndjekin ecurinë e pandemisë, e kanë tashmë vënë në pikëpyetje idenë se shoqëritë do të arrijnë ndonjëherë imunitetin e tufës, edhe kur të ketë një furnizim të bollshëm me vaksina.

Imuniteti i tufës, është koncepti që një sëmundje infektive mund të ç’rrënjoset sapo të arrihet një prag i mjaftueshëm i imunitetit – qoftë përmes infektimit apo vaksinimit. Sipas kësaj teorie, sapo të kapërcehet ai nivel, transmetimi i virusit do të ngadalësohet me shpejtësi dhe në fund ai do të zhduket.

Në fillim të pandemisë, disa shkencëtarë shpresonin se pragu mund të ishte deri në 60 përqind. Për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, Peter Hale, drejtori ekzekutiv i Fondacionit për Kërkimin e Vaksinave në Uashington, tha se agjencitë shëndetësore amerikane e kishin përcaktuar në masën 75 për qind pragun e imunitetit të tufës.

Rezultatet e testeve mbi vaksinat mRNA të zhvilluara nga BioNTech/Pfizer dhe Moderna, rezervuan mundësinë e tejkalimit të kësaj pengese. Por duke pasur parasysh që varianti britanik B.1.1.7, që është tashmë dominues në SHBA, është më i transmetueshëm sesa llojet e përhapura në vend vitin e kaluar, Hale thotë se pragu për imunitetin e tufës mund të jetë tani më afër 80 përqindëshit.

Edhe në Britani, përhapja e mundshme e variantit indian të Covid-19, i cili mendohet të jetë edhe më i transmetueshëm, i ndërlikon më tej llogaritjet rreth imunitetit të tufës. Nëse nuk është e mundur që të binden hezituesit ndaj vaksinave që të ndryshojnë mendje, dhe nëse do të vazhdojnë të përhapen variante të reja të virusit, shumë vende do ta kenë shumë të vështirëtë ç’rrënjosin Covid-19.

Përkundrazi, në një skenar të tillë ata do të mbeten të prekshëm ndaj valëve të reja goditëse që mund të kërkojnë kufizime të reja. Lauren Ancel Meyers, drejtore e konsorciumit të modelimit mbi Covid-19 në Universitetin e Teksasit, thotë se vlerësimet e përqindjes së popullsisë që do të duhet të vaksinohen për të arritur imunitetin e tufës variojnë nga 60 derinë 80 për qind.

“Unë nuk do të thoja që imuniteti i tufës mund të mos arrihet ndonjëherë. Por fakt është seimuniteti i tufës nuk ka të ngjarë të arrihet në të ardhmen e parashikueshme, në shumicën e komuniteteve dhe në shumicën e qyteteve në SHBA, dhe në të gjithë botën”- thotë ajo.

Vlerësimet mbi imunitetin e tufës ndryshojnë kaq shumë,pasi ato varen nga dy faktorë të paparashikueshëm:si sillet virusi dhe si sillen njerëzit. Shkencëtarët nuk e dinë shkallën në të cilën variantet e reja do ta bëjnë virusin më të transmetueshëm, dhe as sasa njerëz do të pranojnë të vaksinohen.

Shkencëtarët preferojnë të mendojnë mbi imunitetin e tufës si një proces kumulativ, sesa si një prag që duhet kapërcyer. John Edmunds, profesor në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, thotë se nuk ka një “tavan”.“ Sa më i lartë të jetë niveli i imunitetit në një popullatë, aq më shumë do ta ngadalësojë përhapjen e virusit. Në fund, në popullatë do të ketë nivele kaq të larta të imunitetit, sa që virusi do ta ketë shumë të vështirë të përhapet edhe pa ndonjë kufizim shoqëror. Mjerisht, ne jemi ende shumë larg nga kjo pikë ”-thotë ai.

Nëse – siç ka ndodhur deri më tani -shumë pjesë të botës do të mbeten të pa vaksinuara, udhëtimi midis rajoneve rrezikon të shkaktojë vatra të reja në zonat ku vaksinimi ka qenë kaotik. “Qytetet mund të shërbejnë si rezervuarë, ku virusi mund të vazhdojë të lulëzojë dhe zhvillohet, dhe ka shumë të ngjarë të shohim variante që shfaqen dhe përhapen në të gjithë globin”-thekson Meyers.

Në SHBA, ekzistojnë disa grupe njerëzish që hezitojnë të vaksinohen, që janë skeptikë apo edhe kundërshtarë të vendosur të vaksinave. Këto grupime variojnë nga përkrahësit e Trump, deri tek majtistët më jo-konformistë që përbuzin çdo gjë “të panatyrshme”.

Por rezistenca ndaj vaksinave nuk është e kufizuar vetëm në SHBA. Një sondazh në 14 vende të botës, zbuloi se vetëm6 në 10 njerëz ishin të gatshëm të merrnin një vaksinë, me Francën, Singaporin dhe Japoninë që kishin nivelet më të ulëta, sipas sondazhit të Imperial dhe YouGov midis nëntorit 2020 dhe shkurtit 2021.

Kohët e fundit, shqetësimet mbi një efekt të rrallë anësor nga vaksina e Oxford/AstraZeneca e kanë tronditur besimin tek vaksinat. Vaksina e BioNTech/Pfizer tani është aprovuar në SHBA edhe për fëmijët mbi 12 vjeç, duke krijuar në teori potencialin për vaksinimin e më shumë amerikanëve.

Por ekspertët presin që shumë prindër të hezitojnë, pasi ata e dinë se shumë më pak fëmijë janë sëmurur rëndë nga Covid-19. Ndërkohë,popullatat në vendet në zhvillim kanë tendencën të jenë më të bindura për përfitimet e vaksinimit. Ndaj,kur të marrin më shumë doza,qytetarët e tyre mund të kenë më shumë gjasa që të vaksinohen. Njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme “e dinë se sa të tmerrshme mund të jenë sëmundjet infektive”- thotë Ball. / Marrë me shkurtime nga FT

x