120 minuta – 7 gola e 3 kartonë të kuq: Fiorentina e fiton trillerin ndaj Napolit për të arritur çerekfinalen në Kupën e Italisë

13.01.2022 20:40

120 minuta – 7 gola e 3 kartonë të kuq: Fiorentina e fiton trillerin ndaj Napolit për të arritur çerekfinalen në Kupën e Italisë

Fiorentina ka fituar trillerin ndaj Napolit për të arritur në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Në një duel interesant ku u pa gjithçka; gol në minutën e fundit për të shkuar në vazhdime, kartona të kuq e gola të shumtë, Fiorentina ka dalur fituese e kësaj përballje dramatike.

Skuadra nga Firenca ka fituar me rezultat 5-2 pas kohës së vazhdimeve, teksa ndeshja e kohës së rregullt u mbyll me rezultat të barabartë 2-2.

Pjesa e parë prodhoi dy gola, të dy të shënuar në minutat e fundit të 45 minutëshit, me Dusan Vlahovic i cili i dha epërsinë Fiorentinës në minutën e 41-të, vetëm për tu barazuar rezultati tre minuta më vonë përmes Dries Mertens i cili realizoi në minutën e 44-të. Për të bërë edhe më dramatike këtë 45 minutësh të parë, portieri i Fiorentinës, Dragowski u ndëshkua me karton direkt të kuq pasi e pengoi kundërshtarin pas një keqkuptimi mes mbrojtësve të Napolit.

Në pjesën e dytë, mbrojtësi i Fiorentinës Cristiano Biraghi i kaloi sërish mysafirët në epërsi në minutën e 57-të.

Në minutën e 84-të, pas një starti të frikshëm ndaj Gonzales, sulmuesi i Napolit, Hirving Lozano u ndëshkua me karton të kuq pas një rishikimi nga VAR, duke i lënë të dy skuadrat me nga 10 futbollistë teksa ndeshja po shkonte drejt fundit.

Sikur nuk mjaftoi kjo, te Napoli u ndëshkua me të kuq edhe mesfushori Fabian Ruiz në minutën e 93-të të shtesës.

Teksa po mendohej se goli i Biraghit po rezultonte vendimtar dhe po e kualifikonte tutje skuadrën, në skenë doli sulmuesi Andrea Petagna i cili barazoi sërish shifrat në minutën e 95-të, për t’i çuar skuadrat në vazhdime.

Në kohën e vazhdimeve, skuadra nga Firenca realizoi plot tri golat për ta vulosur fitoren.

Fillimisht mbrojtësi Lorenzo Venuti shënoi golin e epërsisë në minutën e fundit të pjesës së parë të vazhdimeve, teksa në pjesën e dytë të vazhdimeve mysafirët thelluan epërsinë me anë të Krzysztof Piatek në minutën e 108-të dhe mesfushori Youssef Maleh i cili e vulosi fatin e ktij takimi në minutën e 119-të për rezultatin e thellë 5-2 në të mirë të Fiorentinës.

Fiorentina me këtë fitore arrin në çerekfinale të Kupës së Italisë dhe aty do të takohet me skuadrën e Atalantës

x