Calhanoglu në pritje të ofertave, e ardhmja vendoset pas Europianit

02.06.2021 22:51

Calhanoglu në pritje të ofertave, e ardhmja vendoset pas Europianit

Ashtu si Donnarumma, edhe Hakan Calhanoglu mund të quhet tashmë një ish futbollist i Milanit, pasi ka refuzuar ofertën e kuqezinjve për të rinovuar kontratën, që zyrtarisht skadon më 30 qershor të këtij viti.

Fantazisti turk që ka rilindur nën urdhrat e Stefano Piolit, pretendoi për një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ndërsa te Milani nuk i ofruan më shumë se 3.5 neto, plus 0.5 të tjera në formë bonusi.

Deri tani për mesfushorin turk ka ardhur një ofertë mjaft joshëse nga Katari, ku i kanë ofruar një pagë prej 32 milionë eurosh për tre sezonet e ardhshme, megjithatë Calhanoglu dëshiron të qëndrojë akoma në Europë dhe ka shtyrë vendimin për të ardhmen, pas përfundimit të Europianit.

Emri i Calhanoglu pëlqehet edhe te zikaltrit e Interit, që mund të hidhen në sulm dhe t’i plotësojnë pretendimin prej 5 milionë eurosh në sezon, por më parë duhet të shesin danezin Christian Eriksen, që fiton shumë më tepër.

Për mesfushorin ka bërë sondazhe edhe Juventusi, por bardhezinjtë kanë në organikë shumë mesfushorë me paga të larta dhe nuk mund të bëjnë asnjë hap më tej, pa bërë më parë një operacion fshesa, për të larguar disa prej tyre.

Pikërisht për këtë arsye Calhanoglu ka vendosur të përqendrohet në Kampionatin Europian që do të startojë në qershor dhe vetëm pas përfundimit të tij, të vlerësojë ofertat më të mira në drejtim të tij.

x