Italia gjithnjë e më “braziliane”, tre të tjerë presin ftesën e Mancinit

24.11.2021 17:06

Italia gjithnjë e më “braziliane”, tre të tjerë presin ftesën e Mancinit

Italia po bëhet gjithmonë e më shumë braziliane. Pas Jorginhos, Emerson Palmeirit e Rafael Toloit, trajneri i “të kaltërve”, Roberto Mancini po mendon të shtojë tre brazilianë të tjerë në përfaqësuese, duke nisur nga muaji janar.

I pari në listë është sulmuesi i Cagliarit, Joao Pedro, i cili luan prej disa sezonesh në Serinë A dhe nuk është angazhuar asnjëherë me përfaqësuesen e Brazilit. Kapiteni i Cagliarit shihet si një alternativë më shumë për sulmin e “të kaltërve”, që kanë vuajtur jo pak në repartin e avancuar.

Emrat e tjerë janë për mbrojtjen dhe luajnë në klubet e kryeqytetit, konkretisht me Romën dhe Lazion. Bëhet fjalë për Roger Ibanez dhe Luiz Felipe, të cilët janë jashtë vëmendjes së përfaqësueses së Brazilit dhe po shihen si alternativa për t’u ftuar te Italia.

Prapavija e të kaltërve ka qenë gjithmonë arma më e fortë, por me Chiellinin drejt mbylljes së karrierës dhe Bonuccin e Acerbin që do të kenë nga 35 vite mbi supe në Botërorin e ardhshëm, ka mbetur vetëm Alessandro Bastoni element premtues për të ardhmen.

Pikërisht për këtë arsye, dy brazilianët shihen si alternativa mjaft të mira për të tashmen dhe të ardhmen, pasi janë përkatësisht Ibanez 23 vjeç dhe Luiz Felipe 24 vjeç, ndaj plani i Mancinit është t’i përfshijë gradualisht në grup, për të shkuar në Katar me “gjak të ri”.

x