Mashtrimi i Gjokoviqit: Gjithçka rreth sagës për COVID-19

13.01.2022 17:59

Mashtrimi i Gjokoviqit: Gjithçka rreth sagës për COVID-19

Saga rreth vizës së tenistit serb Novak Gjokoviq në Australi ka qenë lajmi kryesor në botë që kur ai u ndal nga autoritetet australiane në Melbourne javën e shkuar. Sportisti i pavaksinuar ka thënë se atij i është bërë përjashtim mjekësor për hyrje në këtë shtet për shkak se ka rezultuar pozitiv në testin e bërë në mes të dhjetorit. Një gjykatë ka vendosur se ai mund të qëndrojë dhe të garojë në Australian Open, por Qeveria australiane po mendon t’ia anulojë vizën sërish.

BBC në një shkrim të enjten u ka dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve për sagën e serbit.

A mund të anulohet sërish viza e Gjokoviqit?

Përderisa një gjykatë vendosi që Gjokoviqi mund të qëndrojë në Australi, ministri i Imigrimit, Alex Hawke, ka në duar fuqinë për të anuluar vizën e tij dhe thuhet se ende po e mendon këtë. Kryeministri Scott Morrison ka thënë të enjten se pret që autoritetet të implementojnë politikën e Qeverisë për të lejuar në shtet vetëm të vaksinuarit apo ata që përbëjnë përjashtime valide. Serbi e ka pranuar se ka pasur mashtrim në hyrjen e tij në Australi, duke thënë se agjenti ka “bërë gabim” kur ka thënë se s’ka udhëtuar askund tjetër 14 ditët e fundit para arritjes në Australi. Sipas raportimeve, 34-vjeçari ka qenë në Serbi dhe Spanjë para udhëtimit.

Çfarë ka bërë Gjokoviqi pasi ka rezultuar pozitiv në test?

Gjokoviq ka pranuar po ashtu se ka thyer rregullat e izolimit në Serbi pasi ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus më 16 dhjetor.

Kur do të merret vendimi?

Gjokoviqi ende rrezikon t’i anulohet viza. Është raportuar se kjo mund të ndodhë të enjten, sipas kohës në Australi. Kryeministri mori gjithë vëmendjen kur njoftoi për konferencë. Megjithatë, në vend se të fliste për Gjokoviqin, ai foli për shpërthimin e COVID-19 në Australi. Kur u pyet, Morrison refuzoi të komentonte nëse një vendim do të merret së shpejti. Por koha po kalon për Hawken nëse dëshiron t’ia anulojë Gjokoviqit vizën para turneut të tenisit, që nis të hënën. Kampioni aktual është përfshirë në short dhe planifikohet të luajë të hënën ose të martën. Në fundjavë do të hedhet shorti. Gjokoviqit mund t’i anulohet viza edhe pasi të nisë turneu.

Çka ndodh nëse i anulohet viza sërish?

Nëse Hawke përdor pushtetin për t’ia anuluar vizën Gjokoviqit, serbi do të deportohet dhe mund të përballet me dënim që të mos hyjë në Australi për tre vjet.

A rezultoi pozitiv?

Ka pasur shumë spekulime për testin pozitiv PCR të Gjokoviqit. Rezultati nga 16 dhjetori ishte ndër dokumentet që ai ofroi në gjykatë kur apeloi vendimin e Qeverisë për të qëndruar në shtet. Gazeta gjermane “Der Spiegel” ka raportuar se kur ishte skanuar QR kodi i dokumentit, ishte dërguar në një faqe që jepte sinjal se testi pozitiv ishte i datës 26 dhjetor.

A do të përballet Gjokoviqi me sanksione në Serbi?

Rrjetet sociale janë mbushur me diskutimet për tenistin që ka marrë pjesë në ngjarje publike edhe pse ishte pozitiv me COVID-19. Vetë Gjokoviqi ka mohuar se ka marrë pjesë në dy evente – shpalosjen e një pulle postare dhe në një ceremoni për çmime të fëmijëve – duke e ditur se ishte pozitiv. Por ai ka pranuar se ka dhënë intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, këtë javë ka thënë se nëse del që Gjokoviqi ka thyer rregullat e izolimit, ajo do të konsultohet me autoritetet që janë përgjegjëse për implementim të rregullave. Njohës të çështjeve ligjore në Serbi kanë thënë për BBC-në, se për shkeljen që ka bërë, Gjokoviqi mund të ndëshkohet deri me tri vjet burgim. Por lojtari pritet t’i shmanget kësaj me dhurimin e parave për bamirësi.

A po hetohet edhe nga Spanja?

Ka pasur raportime se edhe Spanja po e heton Gjokoviqin pasi ka qenë në shtet para nisjes për Australi. Me rregullat e Spanjës, shtetasit serbë mund të hyjnë në Spanjë vetëm nëse kanë certifikatë të vaksinimit apo autorizim special. Por Qeveria spanjolle ka mohuar raportimet deri tash.

x