Pandemia ndryshon merkaton, tani askush nuk rinovon kontratën

25.07.2021 18:39

Pandemia ndryshon merkaton, tani askush nuk rinovon kontratën

Pandemia ka prekur ndjeshëm ekonominë e klubeve më të pasura të futbollit, që po tentojnë me të gjitha mënyrat të ulin shpenzimet dhe përveç minimizimit të blerjeve, një nga objektivat është edhe ulja e nivelit të pagave nëpërmjet rinovimit me rroga më të ulëta.

Megjithatë kjo politikë e re e klubeve nuk është mirëpritur nga futbollistët, që gjithmonë e më shumë priren të mos rinovojnë dhe të përfundojnë kontratat, për t’u larguar më pas me parametra zero dhe për të përfituar sa më shumë në aspektin personal.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me dy titullarët e Milanit, Donnarumma e Calhanoglu, që nuk pranuan rinovimin me Milanin dhe u larguan me parametra zero, duke përfituar kontrata më të majme në klubet e tyre të reja, por njëkohësisht duke mos u dhënë kuqezinjve mundësinë të arkëtojnë nga shitja e kartonit të tyre.

Një situatë pak a shumë e njëjtë ishte ajo me Sergio Ramos, që refuzoi ofertën e parë të Realit me pagë të reduktuar dhe ndonëse ndryshoi mendje disa muaj më vonë, nuk rinovoi me “Los Blancos, por u detyrua të transferohej te PSG-ja, ku ia doli të marrë një pagë faraonike.

Edhe zëvendësuesi i Ramos, austriaku David Alaba refuzoi rinovimin me Bayernin e Mynihut, pasi gjermanët nuk i ofruan pagën që ai pretendonte, ose thënë ndryshe 10 milionë euro në sezon, shifër që mori përsipër t’ia paguajë Reali i Madridit, pasi e transferoi me parametra zero.

Ndërkohë më të fundit janë Lorenzo Insigne i Napolit dhe Franck Kessie i Milanit. Të dy futbollistët kanë kontratë deri verën e ardhshme, por klubet përkatëse nuk janë gati t’u plotësojnë pretendimet ekonomike.

Pikërisht për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që asnjëri prej tyre të mos rinovojë, me qëllim që të largohen me parametra zero verën e ardhshme dhe të përfitojnë një pagë maksimale në klubet ku do zgjedhin të vijojnë karrierën.

Nga ana tjetër edhe klubet po “gjuajnë” gjithmonë e më shumë futbollistë të lirë, pasi kanë mundësi t’i joshin me paga më të larta, duke qenë se shmangin pagesën për kartonin e tyre. Thënë ndryshe, kushtet e krijuara nga pandemia, po ndikojnë jo pak edhe në merkaton e futbollistëve, pasi shifrat stratosferike dëgjohen gjithmonë e më rrallë dhe transferimet me parametra zero janë ato që dominojnë tregun.

x