Skriniar: Jemi kampionët, të tjerët të na ndjekin!

22.07.2021 16:25

Skriniar: Jemi kampionët, të tjerët të na ndjekin!

Milan Skriniar iu bashkua Interit në vitin 2017 dhe që në atë kohë e kishte tq qartë se objektivi i klubit zikaltër ishte të fitonte titullin kampion që i mungonte nga viti 2010. Ish-futbollisti i Sampdoria ia doli brenda tri vitesh të vendoste trengjyrëshin në gjoksin e tij, sikurse deklaron në intervistën dhënë për “Gazzetta dello Sport”:

“Ndjenja e fitimit të titullit është e mrekullueshme. Ne e meritonim dhe duke e parë të stampuar në gjoks na jep energji dhe besim për të ardhmen”.

Të arrish majë është sukses i padiskutueshëm, të qëndrosh mbi të tjerët (Juventus, Milan, Napoli), një mision edhe më i vështirë.

“Secili klub punon për të fituar. Këtë verë, përgatitja do të jetë më e gjatë, kështu që do të ketë kohë për trajnerët e rinj të përcjellin konceptet e tyre të lojës. Pastaj, u takon lojtarëve që t’i përthithin udhëzimet e tyre sa më shpejt. Interi tani duhet të mendojë vetëm për veten, ne jemi kampionët e Italisë. Këtë herë janë të tjerët që duhet të na ndjekin”.

Lamtumira e Antonio Contes ishte për të si “rrufe në qiell të hapur”, por nuk është momenti për të “qarë”.

“Më befasoi me vendimin e tij, me Conte ishim bërë si një familje. Pastaj është e qartë se kur fiton titullin dëshiron të vazhdosh, të luftosh së bashku për objektiva të rinj. Por kjo është mënyra se si shkoi, trajneri bëri zgjedhjen e tij. Tani nuk duhet të mendojmë për të kaluarën, por çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen”.

Conte u pasua nga Simone Inzaghi, një trajner i ndryshëm, por shumë ambicioz.

“Po provon të tregojë se është i përgatitur dhe i nivelit të lartë. Qëllimi mbetet titulli. Pas fitimit të kampionatit, nuk mund të synosh asgjë më pak. Ne do të punojmë për ta përsëritur suksesin, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë. Eriksen? E ndoqa përmes televizorit dhe isha shumë i frikësuar. Isha i pikëlluar derisa biseduam përmes grupit të ekipit. Chris është një djalë i artë, është i ri dhe kampion, ne po e presim në fushë. Gjëja më e rëndësishme është që tani të jetë mirë me shëndet”.

x