Rusia kërcënon Google-in me ngadalësim të shpejtësisë

25.05.2021 23:15

Rusia kërcënon Google-in me ngadalësim të shpejtësisë

Nëse Google-i nuk arrin të fshijë “përmbajtjen e paligjshme”, mbikëqyrësi rus i mediave ka kërcënuar me ngadalësim të shpejtësisë.

Agjencia e lajmeve, BBC, shkruan se Roskomnadzor i ka dhënë Google-it 24 orë afat për të hequr videot, të cilat ai thotë se kanë lidhje me drogën, dhunën dhe ekstremizmin.

Kompania teknologjike, e cila zotëron edhe YouTube-in, pritet të gjobitet midis 800 mijë  dhe katër milionë rubla nga shërbimi.

Në një deklaratë të raportuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, Roskomnadzor-i i ka dërguar Google-it më shumë se 26 mijë njoftime për të fshirë atë që ai e ka quajtur “informacion i paligjshëm”.

Gjithashtu deklarata akuzon Google-in për kufizimin e hyrjes së YouTube-it në mediat ruse, përfshirë RT dhe Sputnik, si dhe për mbështetjen e “veprimtarisë së paligjshme të protestës”.

Trafiku në internet
Vëzhguesi ka thënë se nëse Google-i nuk vepron, ai mund të zvogëlojë shpejtësinë e internetit për përdoruesit në Rusi, të cilët përpiqen të hyjnë në Google.

Kompetenca të ngjashme, shteti i ka përdorur edhe gjatë muajit mars me platformën Twitter duke kufizuar hyrjen në të pasi Roskomnadzor-i kishte thënë se platforma nuk kishte arritur të hiqte afro tre mijë postime.

BBC tregon se ofruesit e shërbimeve të internetit në Rusi mund të kufizojnë ose të bllokojnë rrjedhën e të dhënave në faqet e internetit duke i kthyer lidhjet në më të ngadalta gjatë hyrjes në faqe të caktuara.

YouTube-i
Aktualisht, Google-i po e padit mbikëqyrësin rus mbi kërkesat për heqjen e përmbajtjes.

Kjo çështje përfshin dymbëdhjetë video në platformën YouTube, të cilat inkurajojnë të rriturit të bashkohen me protestat e sanksionuara të muajit janar. Këto në mbështetje të kritikut të Kremlin-it, Alexei Navalny.

Lidhur me Navalny-n, ai posedon më shumë se 6.5 milionë abonentë në YouTube dhe poston rregullisht video në platformë duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin dhe qeverisë ruse.

Një nga seancat dëgjimore është caktuar më datë 14 të muajit korrik.

x