Teknologjia 5G në Shqipëri do të marrë më shumë kohë sesa ishte parashikuar

03.06.2021 17:38

Teknologjia 5G në Shqipëri do të marrë më shumë kohë sesa ishte parashikuar

Autoritetetet shqiptare duket se kanë hequr dorë nga një implementim i shpejtë i teknologjisë 5G.

 
Në fillim të vitit të kaluar, AKEP kishte parashikuar që brezat e parë të frekuencave për këtë teknologji do të tenderoheshin që në vitin 2020.

Por, kjo nuk bë dhe këtë vit në raportimin e vet për Kuvendin e Shqipërisë AKEP nuk përcakton më afate për këtë proces. Qasja ka ndryshuar dhe para implementimit të teknologjisë 5G do të bëhet një studim për të gjitha çështjet që shtron teknologjia e re, përfshi ato të sigurisë.

 
Burimet nga AKEP bëjnë të ditur se në fillim të këtij viti ka hapur procedurat për kontraktimin e një konsulenti të huaj, që do të përgatisë një analizë të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse për aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm në kuadër të implementimit të teknologjisë së gjeneratës së re në Shqipëri, duke përcaktuar hapat strategjikë dhe duke dalë në përfundime për vendimmarrje të mëtejshme në nivel sektorial. Sipas AKEP, situata dhe zhvillimet e teknologjisë së gjeneratës së re në vendet e rajonit dhe vendet e BE, është e tillë që zgjidhjet janë të larmishme dhe të aplikuara në varësi të kushteve specifike të shteteve të ndryshme, duke marrë në konsideratë zhvillimet teknologjike, kushtet e tregut celular, nevojën për përfitim maksimal shtetëror dhe shoqëror.

Përmbushja e këtij procesi do të kërkojë një kohë relativisht të gjatë, që nga dhënia e ekspertizës nga konsulenti, vendimmarrja e AKEP rreth saj, konsultimi i gjetjeve dhe propozimeve me palët e interesuara për të arritur në fund në hapjen e garës për dhënien në përdorim të frekuencave. Duke pasur parasysh kohën e nevojshme për të gjitha etapat e mësipërme, nuk ka të ngjarë që procesi i zbatimit të teknologjisë 5G të nisë këtë vit. Burime nga tregu shprehen se gjasat janë që ky proces të fillojë pas mesit të vitit të ardhshëm. Vendimi për të ndjekur një qasje më të matur ndaj teknologjisë 5G lidhet sa me sfidat teknologjike dhe të sigurisë, por pjesërisht edhe me arsye ekonomike.

 
Jo të gjithë operatorët janë entuziastë për një tenderim të shpejtë të brezave për frekuencat 5G. Në vitet e fundit, fitimet e tregut kanë rënë ndjeshëm, duke prekur edhe kapacitetet investuese të operatorëve. Sidomos operatori i dytë dhe i tretë më i madh, e mirëpresin një shtyrje të procesit, sepse ende nuk janë të prirur të paguajnë përsëri për frekuenca të reja, për më tepër që Shqipëria ende nuk shfrytëzuar plotësisht potencialet e teknologjisë 4G. Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se në teori rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G. Pavarësisht se të dhënat zyrtare pretendojnë një mbulim prej 96% të popullsisë me rrjete 4G, ky mbulim ndryshon shumë mes operatorëve të ndryshëm, madje shpesh edhe në qendrat më të mëdha urbane cilësia e shërbimit lë shumë për të dëshiruar. Implementimi i teknologjisë 5G ndoshta mund ta thellojë avantazhin e operatorëve që kanë një fuqi më të madhe tregu dhe më shumë mundësi për të investuar në frekuenca dhe në infrastrukturë rrjeti.

BB: Për Shqipërinë 4G është më e leverdishme për mbulim 100% me internet

Për Shqipërinë, teknologjia 4G mund të jetë një zgjidhje më eficiente për mbulimin e plotë të popullsisë me internet broadband krahasuar me teknologjinë 5G. Ekspertë të Bankës Botërore kanë përgatitur një studim që vlerëson kostot e mbulimit universal me internet me brez të gjerë, në varësi të teknologjisë së përdorur. Studimi arrin në përfundimin se, për vendet si Shqipëria, që kanë tashmë një mbulim të lartë të popullsisë me rrjete 4G, mbulimi universal duke përdorur këtë teknologji do të ishte më i leverdisshëm. Mbështetur në të dhënat e AKEP, të përdorura në studim, Shqipëria ka një mbulim të popullsisë me rrjet 4G në nivelin 96%.

Kostot janë llogaritur mbi disa skenarë, që marrin në konsideratë zgjidhje të ndryshme teknike dhe nivele të ndryshme të shpejtësisë së synuar të rrjeteve. Në skenarin optimal, sipas të cilit synohet një shpejtësi 400 megabit për sekondë (Mbps) në zonat urbane me dendësi të lartë, ekipi i BB përllogarit se për Shqipërinë duhet një investim mes 250 dhe 340 milionë dollarë për mbulim universal me rrjet 4G. Investimi prej 250 milionë dollarësh i referohet skenarit kur rrjeti ndërtohet vetëm mbi infrastrukturë të lëvizshme, ndërsa kostot mund të arrijnë deri në 340 milionë dollar nëse ky rrjet mbështetet nga një infrastrukturë fibre optike. Në rastin e teknologjisë 5G, mbulimi universal me internet do të kërkonte një investim prej të paktën 320 milionë dollarë për një infrastrukturë ekskluzivisht të lëvizshme, por do të arrinte deri në 710 milionë dollarë në rast se përdoret mbështetja me fibër optike.

x