26 mërgimtarë që shpëtuan nga aksidenti tragjik nisen drejt Kosovës në orën 16:30

27.07.2021 14:38

26 mërgimtarë që shpëtuan nga aksidenti tragjik nisen drejt Kosovës në orën 16:30

Për pak orë, një pjesë e udhëtarëve që panë tmerrin me sy por fatmirësisht shpëtuan pa lëndime të mëdha nga aksidenti i së dielës në Kroaci, do ta vazhdojnë sot rrugën e lënë përgjysmë në mënyrë tragjike mëngjesin e hershëm të së dilës.


26 udhëtarë që shpëtuan mrekullisht nga aksidenti që i la të vdekur 10 persona që ishin brenda me ta, do të nisen për në Kosovë në orën 16:30, raporton Index.hr.


“Sot në 16:30, në marrëveshje me ambasadën, do të organizohet transporti me autobus për të gjitha viktimat e gatshme për transport, të cilët do të dërgohen në Osijek, ku po i pret një aeroplani që do të niset për në Prishtinë”, thuhet në një deklaratë nga Qarku Brod-Posavina, ku po qëndrojnë ata që pësuan më së paku nga ky aksident i tmerrshëm.

Dy ambulanca janë siguruar po ashtu për ta bërë transportin e disa të lënduarve në Zagreb.

 
Shoferit kosovar i cili e shkaktoi aksidentin e tmerrshës të dielën në Kroaci, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij, Igor Cisper tha se shoferi nuk i ka thënë atij se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes.

Por të dielën, zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjiq, tha seshoferi i kishte thënë se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë” kishte deklaruar Pranjiq.

Çfarë është vërtetuar deri më tani nga inspektimi?

Policia kroate tha të dielën se në orën 6:19 të mëngjesit pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.

Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte të dielën në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur.

x