46 fëmijë të prekur me koronavirus, më së shumti nga 0 deri në 9-vjeç

02.11.2020 11:07

46 fëmijë të prekur me koronavirus, më së shumti nga 0 deri në 9-vjeç

Që nga fillimi i pandemisë e deri në muajin tetor në Kosovë janë infektuar 46 fëmijë me koronavirus.

Sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri, në Kosovë ka prekur edhe fëmijët.

Që nga muaji mars kur edhe janë regjistruar rastet e para me këtë virus në vendin tonë e deri në muajin tetor, në tërë Kosovën kanë qenë 46 fëmijë të prekur me koronavirus.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku-Qosaj, ka bërë të ditur për lajmi.net, se numri më i madh i fëmijëve të infektuar me koronavirus është nga 0 deri në 9-vjeç.

Sipas Telaku-Qosaj, janë 33 fëmijë nga mosha 0 deri në 9-vjeç që janë infektuar me koronavirus dhe që kanë marrë trajtim në këtë klinikë.

“Deri më tani në njësinë Covid janë mjekuar 46 fëmijë. Kurse më së shumti kemi fëmijë prej 0-9 vjeç, janë 33 fëmijë”, ka treguar drejtoresha Telaku-Qosaj për lajmi.net.

Telaku-Qosaj, ka bërë të ditur se Prishtina prin me numrin më të madh të të infektuarve.

Ajo ka thënë për lajmi.net, se nga 46 sa janë trajtuar në Klinikën e Pediatrisë, 17 kanë qenë nga kryeqyteti.

“Më së shumti ka fëmijë nga Prishtina, 17 fëmijë dhe tjerët nga të gjitha qytetet e Kosovës”, ka treguar Telaku-Qosaj për lajmi.net.

Theksojmë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 20 mijë e 179.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare të IKSHPK-së, janë 688 pacientë të cilët kanë humbur betejën me COVID-19, përderisa 15 mijë e 611 kanë arritur që të shërohen plotësisht nga koronavirus.

Bazuar në këto statistika të IKSHPK-së, aktualisht në tërë vendin janë 3 mijë e 880 raste aktive me COVID-19.

x