AAK-ja në përkrahje të personelit shëndetësor: Vendimi i qeverisë qesharak dhe antiligjor

25.08.2021 15:55

AAK-ja në përkrahje të personelit shëndetësor: Vendimi i qeverisë qesharak dhe antiligjor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për shtesat ndaj personelit shëndetësor.

Përmes një komunikate në faqen zyrtare, AAK ka thënë se vendimi i sotëm për personelin shëndetësor, tregon qartë joseriozitetin e Qeverisë përball gjendjes së rëndë shëndetësore në vend.

“Vendimi i sotëm për personelin shëndetësor, e tregon qartë joseriozitetin e tyre përball gjendjes së rëndë shëndetësore në vend. Përpos që shuma e shtesave që do të marrin mjekët, infermierët e teknikët është qesharake, mospërfshirja e muajve Qershor dhe Korrik 2021, paraqet edhe shkelje të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
 
Komunikata e plotë e AAK-së:
 
Qeveria e mashtrimit vazhdon me skandalin e radhës.
 
Vendimi i sotëm për personelin shëndetësor, e tregon qartë joseriozitetin e tyre përball gjendjes së rëndë shëndetësore në vend. Përpos që shuma e shtesave që do të marrin mjekët, infermierët e teknikët është qesharake, mospërfshirja e muajve Qershor dhe Korrik 2021, paraqet edhe shkelje të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.
 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vazhdimisht ka bërë thirrje për trajtimin dinjitoz nga shteti të punëtorëve të shëndetësisë, e vendimi i sotëm vetëm se e degradon më shumë çasjen e qeverisë.
 
Duke qenë mirënjohës për secilin punëtor shëndetësor në vend, ne bëjmë thirrje që ata të vazhdojnë punën e tyre fisnike, që e bëjnë tash e sa kohë, në luftë me sëmundjen e shekullit.
 
Qeveria e Kosovës, me largimin e jashtëligjshëm të personelit shëndetësor nga puna, pa mbaruar pandemia dhe tash me vendime degraduese, do të mbahet përgjegjëse për gjithë dëmin që po i shkakton gjendjes shëndetësore në vend.
 
Aleanca do të jetë përkrah punëtoreve shëndetësorë deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre legjitime.

x