Afër 10 mijë raste aktive me COVID-19: Kosova drejt krizës së re të infeksionit dhe rikthimit të masave kufizuese

09.03.2021 23:58

Afër 10 mijë raste aktive me COVID-19: Kosova drejt krizës së re të infeksionit dhe rikthimit të masave kufizuese

Edhe 444 raste të reja me koronavirus janë regjistruar sot në Kosovë.

 
Nga gjithsej 2410 persona të testuar në 24 orët e fundit, 444 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, shkruan lajmi.net.

Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 3 raste (82, 87, 73 vjeç), Prizren 3 raste (83, 75, 68 vjeç), Ferizaj 2 raste (71, 69 vjeç), Dragash 1 rast (68 vjeç), Klinë 1 rast (74 vjeç), Pejë 1 rast (81 vjeç), Prishtinë 1 rast (78 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (43 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 74.079 raste nga 335.123 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.668 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 452 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 62.650 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9.761.

 
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se Kosova ditëve të fundit ka hyrë në një fazë të re të shpërthimit të pandemisë COVID 19 dhe tash është një fluks i madh i të infektuarve.
“Sot kemi 678 pacientë të shtrirë në të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës, e që është numër më i madh për 150 pacientë më shumë brenda 10 ditësh”, ka thënë Krasniqi në emisionin “Debat” të RTK-së.

Krasniqi ka thënë se tash Kosova është në një fazë të re të të infektuarve dhe të të shtruarve në institucionet shëndetësore dhe se po bëjnë maksimumin të ofrojnë shërbime mjekësore, që asnjë pacient mos të mbetet i pa trajtuar.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur rreth mundësisë së shtërngimit të masave anti-Covid.

“Këtë javë jo, ne e kemi këtë zonimin që e bëjmë në 3 zona që i kemi përcaktuar, në këtë javë është rritur numri në zonën e kuqe, do të shohim në këtë javë nëse do të ketë, siç e bëjmë vlerësimin javor, të enjtën do të dalim zyrtarisht, nëse është nevoja ftojmë Komitetin dhe në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, eventualisht nëse kërkohet nga qeveria e Kosovës të shtërngojë masat ose të marrë masa shtesë për uljen e infeksionit.”, tha Zemaj.

x