Ambasada e Amerikës në mbështetje të ambasadorit gjerman pas reagimit ndaj Goran Rakiq

13.10.2021 19:20

Ambasada e Amerikës në mbështetje të ambasadorit gjerman pas reagimit ndaj Goran Rakiq

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetur reagimin e ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, kundër ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.

Ambasadori gjerman i reagoi Rakiqit, pasi ai krijoi analogji me rastin e aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës me mallra si dhe aksionit të fashistëve gjermanë kundër çifutëve në Gjermani.

Përmes një publikimi në llogarinë e tij në Twitter, ambasadori gjerman tha se është i papranueshëm krahasimi i aksionit të sotëm me “natën e kristaltë”.

“Stop! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. #MbroniFaktet”, ka shkruar Rohde.

Ndërsa ambasada amerikane ka shpërndarë postimin e Rohdës në rrjetin social Twitter.

Ky reagim erdhi pasi ministri i Qeverisë së Kosovës si dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ishte nisur për në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të aksionit të policisë së Kosovës në nivel vendi, kundër kontrabandës me mallra dhe krimit të organizuar.

“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiçit është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, deklaroi Rakiq.

Aksionin e sotëm të policisë, Rakiq e quajti “Natë e Kristalit”, (Kristallnacht – pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve).

“Presidenti i Serbisë është nisur për në Rashkë, dhe edhe ne do të shkojmë. Do të shkojmë të gjithë, po qe nevoja edhe 15 mijë ose 20 mijë njerëz do të vijnë”, tha ndër të tjera ministri i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa tha edhe se “Kjo për neve është çështje jetë a vdekje”.

x